Në Tropojë, klubi i shkrimtarëve priti vëllezërit Arbër dhe Bislim Ahmetaj në një aktivitet kulturor, ku ata u nderuan nga Bashkia me “Mirënjohjen e Bashkisë” për kontributin e tyre letrar dhe humanist. Takimi u shoqërua me diskutime mbi krijimtarinë e tyre dhe me performanca të fëmijëve, duke sjellë një atmosferë festive.
Syri TV
Në një atmosferë të ngrohtë, klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Tropojës mirëpriti dje vëllezërit shkrimtarë Arbër dhe Bislim Ahmetaj, në një takim që u shndërrua në festë të letrave dhe kujtesës kulturore. Nën kujdesin e Bashkisë së qytetit, aktiviteti u çel me nderimin e autorëve me “Mirënjohje”, me motivacionin: “Për veprën e tyre letrare dhe ndihmën e dhënë në promovimin e kulturës dhe shpirtit humanist të qytetit, brenda dhe jashtë vendit.”
Krijimtaria e dy autorëve u ndriçua nga fjalët e poetëve Lulzim Logu dhe Azgan Berbati, të cilët sollën një vështrim të thellë mbi temat, stilin dhe kontributin e tyre në letrat shqipe. Të pranishmit ndoqën me interes bisedën e hapur me shkrimtarët, duke pyetur për veprat, jetën krijuese dhe projektet e ardhshme të tyre.
Atmosfera u bë edhe më e gjallë me pjesëmarrjen e valltarëve dhe këngëtarëve të vegjël, të cilët i dhanë ngjyra festive këtij takimi.
Në shenjë mirënjohjeje për vendlindjen, autorët Arbër dhe Bislim Ahmetaj dhuruan libra për bibliotekën e qytetit, duke lënë kështu një gjurmë të re në fondin kulturor të Tropojës.
© SYRI.net