Në qytetin e Korçës është vendosur busti i intelektualit të njohur Llazar Fundo, në 81 vjetorin e vdekjes së tij. Profesori dhe shkrimtari i njohur Aurel Plasari tha se Zai Fundo përvec viktimë e diktaturës që po instalohej në Shqipëri, ishte viktimë personale e Enver Hoxhës.
SYRI TV
Busti i intelektualit të shquar, Llazar Zai Fundos, është vendosur në pedonalen e qytetit të Korçës, në sheshin e emëruar me të njëtin emër në shenjë nderimi dhe vlerësimi për figurën e tij.
Llazar Fundo është intelektuali që në vitin 1941 bashkë me intelektualë të tjerë ndërkombëtarë morën pjesë në hartimin e manifestit të Ventotenes për një Europë të lirë dhe të bashkuar që inkurajonte krijimin e një federate të shteteve europiane, që ishte menduar të mbante vendet e Europës larg luftës. Profesori dhe shkrimtari i njohur Aurel Plasari tha se Zai Fundo përvec viktimë e diktaturës që po instalohej në Shqipëri, ishte viktimë personale e Enver Hoxhës.
"Mendoj që monumenti që i ka ndërtuar Korcca është një borxh historik, një vlerë e shtuar kujtesës së Korccës dhe të Shqipërisë, për një viktimë që më thjesht sesa ta quajmë të diktaturës, viktimë personale e Enver Hoxhës. Kjo është një e vërtetë që duhet theksuar në histori se tashmë është e dokumentuar, pavarësisht nga interpretimet e ndryshme që i janë dhënë krimit për ekzekutimin e tij fizik dhe për torturimin e tij. Të mos harrojmë që në mesazhin e tij për të vrarë Zai Fundon, Enver Hoxha që s'ishte ende në pushtet dhe kishte filluar vrasjet, jepte porosi që t'i bëheshin disa pyetje, dhe e para ishte "Përse ka vajtur në Kosovë?". Kjo duhet të na bëjë të kuptojmë edhe më qartë kontekstin e ekzekutimit të një intelektuali si Llazar Fundo, si tregues i xhelozisë së sundimtarëve kundër intelektualëve dhe njerëzve të mendjes. Është mësim historik për ccdo kohë, jo vetëm për kohën kur ka ndodhur tragjedia e zhdukjes së tij fizike."
Ndërkohë edhe në Katedralen e Korçës u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të Llazar Fundos. Të afërm, qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit u bashkuan në një homazh të qetë, për të rikthyer në vëmendje jetën dhe idealet e tij.
Familja e kujtoi Fundon si një intelektual që i parapriu kohës duke rikthyer figurën e tij në identitetin e familjes, sic duket edhe nga fjalet e mbesës së tij Elisaveta Fundo.
'Sot ne përkujtuam xhaxhain tonë, Llazar Zai Fundon. Llazari ka 81 vjetorin e vdekjes. Unë kam 82 vjetorin e lindjes dhe nuk e kam njohur kurrë këtë xhaxha. ...... Unë mësova shumë gjëra në këtë kohë për këtë xhaxha që nuk e kam njohur e nuk më ka njohur. Ai ishte me mendime ndoshta të drejta për atë kohë, por për të tjerët mund të ishte gabim. Nuk më vjen mirë që për një xhaxha, për një gjysh, për një stërgjysh, pëe një dajo, për një vëlla, për një nip apo mbesë, të vuajë brezi i mëposhtëm, nip apo stërnip. Zai ishte për një Europë të bashkuar dhe do zoti ne hyjmë sa më parë në Europën e bashkuar.'
Me lutje dhe homazhe, të pranishmit nderuan kujtimin e Llazar Zai Fundos, duke e konsideruar kontributin dhe idealet e tij si pjesë të vlerave që sot po rivlerësohen në shoqërinë shqiptare.
© SYRI.net