Teatri “Skampa” ka sjellë për publikun premierën e re “Shum Pak Vrasës”, një komedi misterioze që u prit me shumë entuziazëm dhe shkaktoi të qeshura, surpriza dhe reagim të fortë nga të pranishmit.
Shfaqja zhvillohet në një dyqan parukerie, ku ndodh një vrasje e papritur.
Dëshmitarët përpiqen të hedhin fajin tek njëri-tjetri, ndërsa në skenë shfaqet një detektiv që kërkon madje edhe ndihmën e publikut për të zbuluar të vërtetën, duke e kthyer komedinë në një lojë interaktive plot dinamizëm.
Regjisorja Rozi Kostani shprehet e lumtur për impaktin e madh që shfaqja pati tek publiku, duke theksuar se komedia “e bën publikun hiperaktiv” dhe e shtyn të reflektojë mbi realitetin e sotëm, ku ngjarje të rënda si vrasjet zënë një vend shqetësues në jetën e përditshme.
Edhe aktorët ndanë emocionet e tyre, duke e cilësuar shfaqjen si një reflektim artistik mbi atë që jemi si shoqëri. Pjesëmarrja e madhe e publikut i ka dhënë energji të veçantë interpretimit.
Për shkak të interesit të lartë, komedia “Shum Pak Vrasës” do të rikthehet për publikun elbasanas nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt qyteteve të tjera të vendit.
© SYRI.net