Nga Egla Xhemalaj
Arkeologu dhe studiuesi Apollon Baçe, i ftuar në emisionin ‘Odeon’, solli jehonën e një vlerësimi të rëndësishëm ndërkombëtar për librin e tij ‘Illyrian World’, botim që ka tërhequr vëmendjen e American Journal of Archaeology (AJA).
Revista prestigjioze amerikane e pranon qartazi se Epiri është pjesë e botës ilire dhe jo greke duke hapur kështu një debat të ri mbi historinë e rajonit dhe origjinën e tij. Në intervistë, arkeologu theksoi se ky vlerësim përbën një pikë kthese në diskutimet shkencore mbi identitetin historik të Epirit.
Baçe solli shembuj nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet e lashta, sipas të cilave edhe autorë grekë pranojnë se Epiri ka origjinë ilire. Profesori kritikoi qëndrimin institucional në vend, duke kujtuar se ende mbeten të paprekura përshkrimet që e paraqesin Antigonean si qytet grek, ndërsa nënvizoi rëndësinë e monedhave të shekullit VI para Krishtit dhe të Orakullit të Dodonës, më të vjetrit në Europë, si dëshmi të qarta të qytetërimit ilir.

Ai theksoi se gërmimet arkeologjike shpesh drejtohen nga të huajt dhe se mungesa e vëmendjes ndaj trashëgimisë ka bërë që shqiptarët të mos e njohin plotësisht historinë e tyre. Sipas tij, vetë fjala ‘Epir’ nënkupton ‘tokë’, duke e lidhur drejtpërdrejt me identitetin autokton të banorëve të saj.
Arkeologu nënvizoi se ‘Illyrian World’ është një përpjekje për të rikthyer dinjitetin shkencor të historisë shqiptare, ndërsa reagimi i AJA tregon se e vërteta ilire po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë në studimet ndërkombëtare.
© SYRI.net