Në Teatrin Kombëtar të Operas u prezantua libri “Kioske, Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar”, që trajton kioskat si simbol i tranzicionit dhe improvizimit urban pas viteve ’90. Të pranishmit theksuan se ndërhyrjet pa kriter në bregdet kanë dëmtuar thellë marrëdhënien mes njeriut, arkitekturës dhe natyrës.
SYRI TV:
Në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas u prezantua libri “Kioske, Arkitektura e Përkohshme dhe Botët e Gjalla Sociale në Bregdetin Shqiptar”. Një botim i redaktuar nga Robert Pichler që sjell një vështrim kritik mbi kioskat bregdetare si forma të përkohshme arkitekturore, por edhe si pasqyrim i një realiteti të thellë shoqëror të tranzicionit shqiptar.
Në vështrimin e studiuesit Dhimitër Doka kioska shihet si një objekt i përkohshëm që rrëfen përjetime të përhershme, një fragment i arkitekturës që flet për mënyrën se si shoqëria shqiptare u përball me ndryshimin dhe kaosin urban.
Në një vend ku urbanizimi shpesh ndodh pa kriter, arkitektja Mamica Burda dhe arkitekti Samir Kristo thanë se libri sjell një qasje reflektuese mbi nevojën për të ruajtur kujtesën vizuale të improvizimit si një mënyrë për të kuptuar më mirë vetë rrugëtimin tonë kolektiv.
Të pyetur nga Syri TV, të pranishmit theksuan se ndërhyrja pa kriter në bregdet e ka zbehur madje në shumë raste e ka shkatërruar raportin midis njeriut, arkitekturës dhe natyrës duke i kthyer hapësirat publike në zona të humbura identiteti.
© SYRI.net