SYRI TV/ Rikthehet baleti romantik 'La Sylphide', histori magjike dashurie mes reales dhe ëndrrës

20:52, 27/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Baleti romantik “La Sylphide” rikthehet në skenën e TKOBAP-së, duke sjellë një histori magjike dashurie mes reales dhe ëndrrës, nën koreografinë e August Bournonville dhe muzikën e Herman Severin Lovenskiold. Adela Muçollari rikthehet si Sylphide, në një rol plot ndjeshmëri dhe tragjizëm, që fton publikun të besojë sërish në magjinë e baletit klasik.

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit rikthehet një nga perlat e epokës romantike, “La Sylphide”, baleti që shndërron dashurinë, ëndrrën dhe tragjedinë në një udhëtim poetik mes ajrit dhe tokës.

Në mëngjesin e ditës së martesës, James zgjohet nga një puthje e lehtë e Sylphidës, krijesa e ajrit që e thërret drejt një bote të padukshme. I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, ai ndjek frymën e saj në pyllin magjik, aty ku një shall helmi do t’i shuajë dritën përgjithmonë.

Nën koreografinë e August Bournonville, me muzikën e Herman Severin Lovenskiold dhe drejtimin e Gridi Krajës, trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së sjellin mbrëmje ku çdo lëvizje rrëfen një ndjenjë, dhe çdo notë tingëllon si frymëmarrje e shpirtit romantik. Edi Blloshmi, drejtor i baletit, e përkufizon veprën si një nga më poetiket e kohës së romantizmit.

Në këtë rikthim magjik, Adela Muçollari vjen sërish në rolin e Sylphidës, një rol që ajo e ka jetuar prej më shumë se një dekade.

“La Sylphide” është një udhëtim drejt ndjeshmërisë, një përrallë që endet mbi puantë, duke kujtuar se dashuria, sado e pamundur, mbetet forca më e lehtë dhe më e rëndë në shpirtin njerëzor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco