Fondacioni ‘Arben Tafaj’ zhvilloi forumin ‘Trashëgimia gjuhësore e Tironës mes globalizmit dhe teknologjisë’, ku u theksua rëndësia e ruajtjes së të folmes tradicionale si pjesë e identitetit kulturor të kryeqytetit. Në fund të aktivitetit, profesoreshë Lili Sula u nderua me titullin ‘Misionare e Vlerave’ për kontributin e saj të spikatur në fushën e gjuhësisë dhe albanologjisë.
Nga Egla Xhemalaj-SYRI TV
Fondacioni ‘Arben Tafaj’ zhvilloi në Tiranë një forum të posaçëm kushtuar ruajtjes së të folmes tiranase si pjesë e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të kryeqytetit. Në fjalën e tij, Ilir Tafaj, kryetar i Shoqatës dhe drejtues i fondacionit, theksoi se ky aktivitet është një vazhdimësi e punës që Arben Tafaj zhvilloi për të mbrojtur e promovuar kulturën, historinë dhe traditën e Tiranës, ndërsa nënvizoi se globalizmi dhe zhvillimi teknologjik po ndikojnë ndjeshëm në mënyrën si flasim, duke rrezikuar autenticitetin e së folmes tradicionale.
‘Të folurit e Tiranës është një pasuri që duhet ruajtur, sepse në të qëndron vetë identiteti ynë,’ u shpreh Tafaj.
Në forumin e pasur me kumtesa akademike, profesoreshë Lili Sula solli një analizë të thelluar mbi zhvillimin historik të të folmes së Tiranës, nga periudha e formimit e deri te ndikimet bashkëkohore të globalizmit dhe migracionit. Ajo e përshkroi gjuhën si një ‘organizëm të gjallë që lind, rritet dhe pasurohet me kombin’, duke theksuar se dialektet dhe nëndialektet janë pasuri që e gjallërojnë e pasurojnë gjuhën shqipe. Sipas saj, mungesa e studimeve gjatë periudhës komuniste dhe ndryshimet e vrullshme të pasviteve ’90 kanë sjellë një boshllëk të dukshëm në dokumentimin dhe ruajtjen e së folmes tiranase.
‘Komuniteti i Tiranës ka detyrë ta mbrojë e ta trashëgojë këtë pasuri gjuhësore, që po rrëgjohet përballë trysnisë së globalizmit,’ tha ajo, duke ftuar studiuesit dhe institucionet arsimore të përfshihen më aktivisht në këtë mision kulturor.
Në përmbyllje të aktivitetit, Fondacioni ‘Arben Tafaj’ nderoi profesoreshë Lili Sulën me titullin ‘Misionare e Vlerave’, në vlerësim të kontributit të saj të spikatur universitar, të përkushtimit në mësimdhënie dhe studimin e letërsisë shqipe, si dhe të rolit të saj në mbrojtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor të kryeqytetit. Një forum që riktheu në qendër të debatit kulturor thelbin e asaj që na bashkon gjuhën si kujtesë të përbashkët.
© SYRI.net