Dokumentari ‘Jeta si një film’ sjell rrëfimin e fundit të mjeshtrit Pirro Milkani, që udhëton nga fundi drejt fillimit në një reflektim të thellë mbi jetën dhe artin. Përmes zërit të tij dhe kujtimeve të familjarëve, filmi bëhet një homazh i përjetshëm për kinemanë shqiptare.
Nga Egla Xhemalaj
Në një mbrëmje të mbushur me emocione, kujtime dhe imazhe, u shfaq për herë të parë dokumentari ‘Jeta si një film’, një homazh artistik kushtuar mjeshtrit të kinemasë shqiptare, Piro Milkani. Një rrëfim që nuk ndjek rendin kronologjik të jetës, por udhëton nga fundi drejt fillimit, ashtu siç e kishte dëshiruar vetë Pirroja, në një përpjekje për të kuptuar thelbin e jetës përmes retrospektivës. Në dokumentar, zëri i vetë Milkanit udhëheq çdo kornizë të filmit ai që dikur rrëfente jetën përmes kamerës, këtë herë rrëfen veten përmes audios së mbetur si dëshmi e fundit.
Pirro Milkani: ‘Nuk kam asnjë peng në jetën time. Dua ta filloj nga fundi për të shkuar në fëmijëri. Sa më i vjetër të jetë filmi, aq më i mirë do jetë.’
Filmi, me regji të Marviks Shantojës, është ndërtuar mbi narracionin e Piros dhe mbi kujtesën e atyre që e kanë njohur nga afër. Për regjisorin e ri, puna mbi jetën e një figure monumentale si Milkani, ishte një përvojë e mbushur me përgjegjësi.
Marviks Shantoja: ‘Fillimisht kur më thanë, unë hezitova normalisht. Për një regjisor të ri është një peshë e madhe të punosh me jetën dhe veprën e Pirros. Pas takimit të parë me të, u çlirova pak. Dokumentari është zhvilluar mbi audion e tij është vetë Pirro që tregon jetën dhe veprat e tij. Në fund mbyllet me një intervistë nga Kujtim Çashku, që shpreh vlerësimin e tij për të. Shpresoj që ky dokumentar të jetë një homazh që përjetëson imazhin e Pirros midis nesh.’
Dokumentari merr një dimension të veçantë emocional, pasi është realizuar pas ndarjes nga jeta të regjisorit të madh.
‘Vendosëm ta bënim përmes audios së Pirros, sepse fatkeqësisht ai ishte larguar nga ne. Çdo gjë që tregon është e bukur, magjike siç ka qenë vetë kinemaja.’
Një rol të ndjeshëm në ndërtimin e filmit ka pasur edhe Eno Milkani, i biri i Pirros, i cili ndau kujtimet dhe fotografitë familjare me autorët.
Eno Milkani: ‘Unë s’kam lidhje me skenarin apo gjetjet regjisoriale, por bashkë me vëllain bëmë një kërkim të madh në shtëpi, në albume. Pirro nuk ka qenë i dhënë pas fotove, por ato që gjetëm menduam se ishin më të bukurat. Ndjesia nuk është e lehtë shikon fotot e njerëzve që kanë qenë pjesë e jetës tënde, por njëkohësisht zbulon magjinë e kinemasë, që është një makinë kohe. Më bën të ndihem mirë që ka interes, që ka publik. Filmat e Pirros do të kenë jetë edhe 100 apo 200 vjet më pas ai është pjesë e brezit të parë të regjisorëve shqiptarë.’
Në rrëfimin e Milkanit, gërshetohen dashuria për filmin, nostalgjia për një qytet që dikur kishte kinema, dhe reflektimi mbi një shoqëri që shpesh harron artin.
Pirro Milkani: ‘Ka një qytet pa kinema. Nuk ka rrjet kinemash. Njerëzit e kanë mendjen te biznesi.’
‘Jeta si një film’ është një testament artistik një udhëtim përmes kujtesës, ku fundi shndërrohet në fillim, dhe kinemaja në formën më të lartë të jetës.
© SYRI.net