'Kolltuku', Budina: Nostalgjia e komunizmit dhe mentaliteti i viktimizimit! Filmi premierë sot në nderim të Naum Shundit

10:28, 22/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Premiera e filmit të shkurtër “Kolltuku” mbrëmjen e sotme shënon një moment të dyfishtë për kinemanë shqiptare: nderimin për një ikonë si Naum Shundi dhe prezantimin e një talenti të ri premtues, regjisores Enxhi Rista. Ky produksion i Era Film, siç shpjegon producenti Robert Budina, në emisionin ‘Kafe Shqeto’ është një komedi e zezë 15-minutëshe që sillet rreth një kolltuku simbolik të kohës së komunizmit.

“Ky është një kolltuk nga ata të kohës së komunizmit, pak e kemi parasysh të gjithë atë divanin ku shtriheshim, atë nostalgjinë që kemi për atë të kaluarën, për ato ndjesi që kemi pasur në atë kohë. Dhe ky kolltuk papritmas humb, dhe personazhi kryesor vihet në kërkim të kolltukut. Filmi nuk ndalet vetëm te nostalgjia sipërfaqësore. Ai gërmon më thellë, duke trajtuar mënyrën se si kjo nostalgji ushqen teoritë konspirative dhe një mentalitet viktimizimi” thotë Budina.

Regjisori Rista, e cila ka studiuar dhe është vlerësuar në Rumani, sjell një perspektivë të freskët, duke e bazuar historinë në përvojat e saj personale.

Mbrëmja e sotme do të jetë një dedikim për “Bebin”, siç njihej me përkëdheli aktori, duke celebruar kështu trashëgiminë e tij.

Është një film i shkurtër, 15 minuta. Ne në fakt e bëmë këtë premierë meqë ndodhi ikja e Naum Shundit, sepse e kishim planifikuar për pak më vonë dhe e gjithë mbrëmja që do i dedikohet sot në orën 6 te Kinema Millennium, është për Naum Shundin, për përjetësinë e veprave të tij.

“Bebi ishte një qytetar model, ishte një autor i jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha ai me forcat e tij, e dimë të gjithë që ndërtoi atë teatrin në shpinë të vet, që ne të gjithë së bashku mbas ikjes së Bebit duhet të kontribuojmë që ai teatër të vazhdojë, sepse është i pari dhe i vetmi në Shqipëri deri në këtë moment që flasim, një teatër i bërë me kontribute personale dhe mbi të gjitha jo i bazuar në komercialen, por i bazuar në vlerat, në edukimin, gjë që është shumë e vështirë në kohët e sotme” tha Budina.

Filmi i shkurtër 15 minuta, bashkon një kast të shkëlqyer aktorësh si Zamira Kita, Niko Kanxheri dhe Romir Zalla, duke premtuar një vepër që do të lërë gjurmë si te publiku, ashtu edhe në festivale. Ky projekt përfaqëson një urë lidhëse mes mjeshtërisë së gjeneratës së artë dhe vizionit të brezit të ri, duke siguruar vazhdimësinë e kinemaë cilësore shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco