Ekspozita “Magjia e vizatimit” e Gazmend Lekës është një rikthim te burimi i parë i krijimit vizatimi, si një udhëtim brenda vetes. Përmes vijës së thjeshtë, artisti rishikon katër dekada krijimtarie, duke e kthyer heshtjen e vizatimit në një gjuhë të shpirtit.
Syri tv
Në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve u çel ekspozita personale e piktorit të mirënjohur Gazmend Leka, me titull “Magjia e vizatimit”, kuruar nga studiuesi Ermir Hoxha. Një udhëtim estetik e shpirtëror që rikthen artistin te rrënjët e tij krijuese, aty ku gjithçka nis me një vijë.
Në këtë ekspozitë, Leka vjen ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim ndër vite pa ngjyra, pa dritëhije të përkryera, por me një thjeshtësi që ndriçon thelbin. Ai sjell në muret e galerisë një përzgjedhje të gjerë vizatimesh, që janë njëkohësisht rikthim dhe rishikim i udhëtimit të tij katër dekadash në art.
“Kjo është një ekspozitë me vizatime. Unë u bë gati 10 vite rresht që bëj ekspozita me pikturë, vetëm me pikturë. Gjatë dy-tre viteve të fundit mua mu mblodh një koleksion me vizatime. Sigurisht është normale që kur ke një koleksion duhet ta hapësh, sepse piktura apo vizatimi bëhet për të shkuar te publiku. Vizatimi ka qenë dashuria ime e parë, e kam dashur.”
Në një kohë kur arti shpesh kërkon efektin dhe ngjyrën, Leka zgjedh të flasë me vijën me heshtjen e saj, me rrudhat e kujtesës që ajo bart. Ekspozita “Magjia e vizatimit” është një reflektim mbi aktin e parë të krijimit, mbi mënyrën se si vizatimi nuk i shërben pikturës, por vetë shpirtit të artistit.
“Përgjithësisht njerëzit e konsiderojnë vizatimin si një paradhomë të pikturës, njohin pikturën, ndërsa vizatimin e shohin si një gjë që bëhet për ta ndihmuar atë. Unë bëra të kundërtën. Shumë motive që kam trajtuar gjatë gjithë krijimtarisë sime i mblodha dhe i ribëra në vizatim, i ridimensionova në një tjetër frazë.”
Në këtë rikthim, artisti ndjek gjurmët e vetes ashtu siç ai vetë e ka shkruar si një arkeolog i brendshëm, që kërkon në shtresat e kujtesës për të rishikuar me sy të rinj fragmentet e së shkuarës. Ekspozita, përveçse një rrëfim artistik, është edhe një ftesë për të ndalur ritmin dhe për të parë përtej sipërfaqes. Ajo na kujton se vizatimi nuk është një akt përgatitor, por një formë e pastër e të shprehurit një gjuhë e shpirtit, siç thotë vetë Leka.
“Në pak muaj unë kam bërë edhe një herë gjithë udhëtimin tim që prej 40 vitesh. Doja që të sensibilizoja studentët, piktorët, për të treguar që vizatimi është po ai mjet shprehës, ndoshta edhe më i fuqishëm se piktura. Prandaj e kam quajtur ‘Magjia e vizatimit’.”
“Magjia e vizatimit” mbetet një udhëtim i brendshëm që i fton shikuesit të zbulojnë më shumë sesa formën të kërkojnë thelbin. Një udhëtim që nis nga një vijë, por përfundon thellë në shpirtin e njeriut. Ekspozita është e hapur deri më 2 nëntor, në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve.
© SYRI.net