Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

SYRI TV/ Romani ‘Dëshmitari i rremë’ i Bujar Skëndos - Autori: Rinia shqiptare u tradhtua, u shtyp

15:37, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Romani “Dëshmitari i rremë” i Bujar Skëndos rikthen në letërsi ngjarjet dramatike të Festivalit të 11-të të Këngës, si një reflektim i thellë mbi dhunën e diktaturës ndaj artit dhe artistëve. Përmes figurës simbolike të dëshmitarit dhe portretit të këngëtarit Seran Mejdani, autori ngre një akuzë të fuqishme ndaj frikës, servilizmit dhe humbjes së lirisë shpirtërore.

Syri TV

Një ngjarje që tronditi artin shqiptar pesëdhjetë e katër vjet më parë, Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, rikthehet sot përmes letërsisë në romanin më të ri të shkrimtarit Bujar Skëndo, “Dëshmitari i rremë”. Ngjarja e ndaluar e dhjetorit të vitit 1972, që u shndërrua më pas në një prej goditjeve më të ashpra ndaj artit e kulturës shqiptare, ka frymëzuar autorin të rindërtojë përmes fiksionit artistik një realitet të errët të diktaturës. Në qendër të romanit qëndron figura e këngëtarit të famshëm Seran Mejdani një portret letrar që ngjall menjëherë kujtimin e Sherif Merdanit, artistit të dashur për publikun shqiptar, i cili do të përballej me burgun dhe persekutimin politik pas Festivalit të 11-të. Përmes një përshkrimi të gjallë e tronditës, Skëndo sjell në faqe tensionin e gjyqit, absurditetin e akuzave dhe dramën e një brezi që u ndëshkua vetëm pse kërkoi liri shpirtërore nëpërmjet artit. Në roman, dëshmitari  një figurë që mishëron bashkëpunëtorët e sistemit bëhet simboli i një realiteti të sëmurë moral.

Pas Festivalit të 11-të, diktatura ndërmori një ofensivë të egër kundër artistëve e shkrimtarëve, duke ndëshkuar zëra që kishin sjellë frymë moderniteti në art. Emra si Bujar Kapexhiu, Mihal Luarasi, Sadik Bejko, e mbi të gjitha Sherif Merdani, u përballën me vite burgimi, internimi apo përjashtimi nga jeta artistike.

Përmes një gjuhe të pastër dhe introspektive, Skëndo arrin të rikthejë ndjesinë e asaj kohe, duke shpalosur edhe brendinë e vetë shkrimtarit, që në çdo personazh zbulon pak nga vetja.

“Dëshmitari i rremë” i Bujar Skëndos është një dëshmi letrare kundër harresës, që na fton të reflektojmë mbi çmimin e së vërtetës dhe fuqinë shëruese të artit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco