Korça është qyteti i parë ku u dha premiera e dokumentarit “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”. Filmi, që i kushtohet revoltës së të burgosurve politikë në Spaç, vjen me autor Besim Ndregjonin, një prej vuajtësve të regjimit komunist. Në fjalën e tij për mediat, Ndregjoni u shpreh se nga qyteti i Korçës kishte një numër të madh qytetarësh që kishin vuajtur torturat e regjimit.
Në qytetin e Korçës u shfaq dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, me autor Besim Ndregjonin, kushtuar revoltës antikomuniste të të burgosurve politikë.
Autori theksoi se Korça u zgjodh si qyteti i parë për shfaqjen e filmit për shkak të rolit të saj historik dhe figurave që vuajtën në burgjet e diktaturës, si Sami Dangëllia, Vaskë Orgocka e të tjerë, që u bënë simbol i qëndresës ndaj regjimit komunist.
Në këtë veprimtari morën pjesë ish-të dënuar politikë dhe familjarë të martirëve të revoltës së Spaçit. Ndër ta, Leonard Bejko, djali i Dervish Bejkos, i pushkatuar pas revoltës, shprehu emocionet e forta për filmin dhe pengun që eshtrat e babait të tij nuk janë gjetur ende.
Edhe Vaskë Orgocka solli kujtimet e dhimbshme nga burgjet, duke treguar se shumë shqiptarë u dënuan padrejtësisht vetëm për bindjet e tyre.
Dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë” mbetet një homazh për qëndresën dhe sakrificën e atyre që luftuan për lirinë dhe dinjitetin e Shqipërisë.
© SYRI.net