Një 15-vjeçar në bagazhin e makinës dhe katër pasagjerë të tjerë pa dokumente hyrjeje zbuloi Policia Federale gjermane natën mes së shtunës dhe të dielës gjatë një kontrolli në rrugën B2, pranë Mittenwaldit.
ROSENHEIM24
Siç njofton Policia Federale e Rosenheimit, një 28-vjeçar shqiptar u arrestua përkohësisht si i dyshuar për trafikim emigrantësh.
Sipas autoriteteve, burri po udhëtonte me një automjet me targa gjermane, kur u ndal pranë kufirit gjermano-austriak.
Gjatë kontrollit kufitar, drejtuesi i automjetit paraqiti një leje qëndrimi gjermane dhe një patentë gjermane.
Kur hodhën vështrimin në brendësi të makinës, efektivët vunë re se mes rrobave që ndodheshin në automjet ishte shtrirë një adoleshent në bagazh.
Sipas Policisë Federale, 28-vjeçari deklaroi se kishte menduar për rrezikun e një transporti të tillë, por nuk kishte asnjë vend tjetër uljeje në automjet.
Ai tha se 15-vjeçari kishte hyrë vullnetarisht në bagazh.
Asnjë pasaportë gjatë kontrollit
Përveç adoleshentit, në makinë ndodheshin edhe katër persona të tjerë nga Kolumbia.
Në total, pesë shtetas kolumbianë, sipas autoriteteve, po udhëtonin pa dokumente të vlefshme për hyrje në Republikën Federale të Gjermanisë.
Gjatë kontrollit ata nuk mundën të paraqisnin pasaporta apo dokumente identifikimi.
Sipas gjetjeve të para, ata ishin regjistruar më herët në Gjermani.
Policia Federale ngriti kallëzim ndaj pesë kolumbianëve nën dyshimin për tentativë hyrjeje të paligjshme.
Më pas ata iu dorëzuan zyrës kompetente për të huajt, e cila tani do të vendosë për qëndrimin e tyre të mëtejshëm në Gjermani.
Hetimet për trafikim emigrantësh
Drejtuesi i automjetit, i cili është i regjistruar në landin e Saksonisë së Poshtme dhe ka vendbanim të përhershëm në Gjermani, u lirua nga komisariati i Policisë Federale në Garmisch-Partenkirchen të hënën në mëngjes, pasi përfunduan procedurat policore.
Sipas Policisë Federale, ndaj tij pritet të zhvillohet një procedim penal për trafikim të të huajve.
© SYRI.net