Një pushim familjar në Como të Italisë u kthye në një situatë të papritur për një 40-vjeçar shqiptar, i cili përfundoi në burg për një dënim të marrë 13 vite më parë.
Ermal Musaraj, banues në Shqipëri, kishte udhëtuar drejt Italisë për një vizitë të shkurtër me familjen, i bindur se nuk kishte më probleme me drejtësinë italiane. Por sapo mbërritja e tij u regjistrua në strukturën akomoduese ku kishte prenotuar, sistemi i kontrollit të policisë zbuloi një urdhër arresti ende të pazbatuar ndaj tij.
Sipas mediave italiane, Musaraj kishte një dënim prej 1 viti e 11 muajsh burg, të dhënë në vitin 2012, pasi ishte shpallur fajtor për hyrje në Itali përpara përfundimit të periudhës së dëbimit që i ishte vendosur.
Në atë kohë, mbrojtja e tij nuk kishte paraqitur kërkesën për pezullimin e dënimit, ndërsa në vitin 2013 ai ishte dëbuar sërish nga Italia dhe nuk ishte kthyer më në vend.
Për vite me radhë, shqiptari nuk kishte qenë në dijeni se ndaj tij vijonte të ishte aktiv një urdhër burgimi. Kthimi në Como, qytetin ku kishte jetuar më parë, përfundoi me arrestimin e tij.
Musaraj doli para gjyqtarit për të kërkuar që të njihej shuarja e dënimit për shkak të kalimit të kohës, por kërkesa nuk u pranua. Sipas autoriteteve, nuk ekziston një procedurë që mund ta zgjidhë menjëherë këtë situatë.
Aktualisht, 40-vjeçari duhet të qëndrojë në burg deri në muajin shtator, kur mund t’i drejtohet gjykatës së mbikëqyrjes së dënimeve. Deri tani ai ka vuajtur vetëm dy javë nga dënimi total prej 1 viti e 11 muajsh.
© SYRI.net