Gazetarja Alba Kepi, e ftuar në studion e lajmeve të Syri TV me gazetaren Eneida Ndoci, ka sjellë detaje të reja nga mega-operacioni i Antimafias italiane, i koduar “Pëshpërima” (Whisper), i cili goditi dy grupe të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge me lidhje mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas Kepit, operacioni i zhvilluar nën drejtimin e Drejtorisë së Antimafias së Leçes është vijim i hetimeve të nisura nga dosja “Ura”, e ekzekutuar në maj të vitit 2023. Ajo deklaroi se hetimet italiane kanë dokumentuar edhe një herë tjetër rolin e Shqipërisë si vend furnizues për tregjet europiane të kokainës, heroinës dhe marijuanës.
“Pëshpërima” ka çuar në ekzekutimin e 23 masave të ndalimit, ku 21 prej tyre janë masa arresti në burg. Hetimet, të zhvilluara nga viti 2022 deri në fund të vitit 2023, kanë identifikuar dy organizata kriminale me bazë në Brindisi dhe Leçe, të cilat dyshohet se furnizoheshin nga Shqipëria dhe shpërndanin drogë në Itali dhe vende të tjera europiane.
Gazetarja bëri të ditur se gjatë hetimeve janë sekuestruar mbi 56 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa grupet kriminale janë zbuluar përmes përgjimeve, videove, fotografive dhe komunikimeve të koduara.
Një prej provave të rëndësishme të administruara nga hetuesit italianë ka qenë një fotografi e gjetur në telefonin e një prej të arrestuarve, ku dokumentohej mënyra e ndarjes së fitimeve nga trafiku i kokainës, heroinës dhe marijuanës.
Sipas Kepit, kreu i Antimafias së Leçes ka evidentuar tre elementë kryesorë të këtij operacioni: përfshirjen e minorenëve si korrierë të drogës, faktin që Shqipëria vijon të jetë burim furnizimi për këtë trafik dhe strukturimin e grupeve kriminale me më shumë se 10 persona, çka rëndon edhe akuzat ndaj tyre.
Në hetime, sipas gazetares, janë dokumentuar edhe përdorimi i armëve, sekuestrimi i parave cash dhe përfshirja e dy grave në aktivitetin kriminal.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes “Pëshpërima” është fakti se një prej personave të hetuar, i cili ndodhej në burg, dyshohet se vijonte të menaxhonte trafikun e drogës nga qelia.
Gazetarja kritikoi heshtjen e autoriteteve shqiptare përballë këtyre operacioneve, duke krahasuar reagimin e institucioneve italiane me situatën në Shqipëri. Sipas saj, ndërsa autoritetet italiane dokumentojnë rrjetet kriminale dhe godasin organizatat e trafikut, në Shqipëri mungojnë aksionet konkrete ndaj pasurive dhe strukturave të këtyre grupeve.
Ajo solli në vëmendje edhe rastet kur persona të kërkuar ndërkombëtarisht kanë vijuar të lëvizin të lirë në territorin shqiptar, duke ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e institucioneve vendase.
Kepi deklaroi se autoritetet italiane kanë evidentuar edhe portin e Durrësit si një nga pikat e rëndësishme të rrjeteve të trafikut, ndërsa sipas saj, në Shqipëri mungojnë rezultatet konkrete në kapjen e sasive të mëdha të drogës.
Sipas gazetares, operacioni “Pëshpërima” është një tjetër dosje që tregon lidhjet e dyshuara mes grupeve shqiptare të narkotrafikut dhe tregjeve europiane të shitjes së drogës, ndërsa hetimet e autoriteteve italiane vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të rrjeteve kriminale.
Kepi:
Atëherë çfarë detajesh kemi në lidhje me këtë mega-operacion që me sa duket, shteti shqiptar ka mbyllur sytë e veshët, por që anti-mafia italiane është gjithmonë në fokus të goditjes së rrjeteve të tilla kriminale. Për të konfirmuar dhe një herë tjetër që Shqipëria është vend furnizues i tregjeve evropiane, italiane të drogës me kokainë, heroinë dhe marijuanë. Pra, një mega-operacion i koduar "Pëshpërima" apo "Whisper", i cili është vazhdimësi e hetimeve të nisura nga mega-operacioni "Ura", i ekzekutuar në maj të 2023-shit. Ky operacion i mëngjesit të sotëm është nën urdhrin e Drejtorisë së Anti-mafias së Leçes dhe konsiderohet një tjetër mega-operacion që konfirmon atë që thamë: Shqipëria është vend furnizues i tregjeve evropiane me kokainë, heroinë dhe marijuanë.
Kemi 23 masa ndalimi, 21 prej tyre në burg. Është vazhdimësi e dosjes "Ura", e cila ka mundur të zbardhë detaje të tjera të mega-trafikut të drogës, ku shqiptarët e arrestuar vijonin dhe nga burgu të menaxhonin tregun apo narkotrafikun e Shqipërisë dhe Evropës. 23 masa ndalimi, 21 prej tyre në burg, kanë zbardhur dhe kanë bërë që prej vitit 2022 deri në fund të 2023-shit, ky mega-hetim "Pëshpërima" të zbardhë dhe të identifikojë dy grupe narkotrafikantësh, me bazë në Brindisi dhe në Leçe, të cilët siç thashë, duke pasur habitatet e furnizuesve në Shqipëri, vijonin të kryenin trafikun e drogës drejt Italisë, Evropës dhe gjithë tregjeve të shitjes.
Kemi siç thashë dy organizata narkotrafikantësh, të cilët me bazë në Brindisi dhe në Leçe, dhe janë dokumentuar si janë kapur mbi 56 kilogramë drogë, të paktën të sekuestruar gjatë fazave të këtyre operacioneve. Mjaft e rëndësishme ka qenë i gjithë aktiviteti investigativ, i përgjimeve, i kapjeve të videove, fotografive, por dhe të bisedave të kriptuara, të cilat kanë mundur të zbërthejnë kodifikimin e gjithë aktivitetit ilegal. Ka qenë një fotografi e zbuluar në telefonin celular të një prej personave të vënë në masë ndalimi, që ka dokumentuar se si ndaheshin apo se si shpërndaheshin fitimet e ardhura nga ky trafik i kokainës, heroinës dhe marijuanës.
E rëndësishme është të theksohet në këtë operacion dhe deklarata e bërë nga kreu i departamentit të anti-mafias së Leçes, i cili ka nënvizuar se ky operacion, "Pëshpërima", vijim i dosjes "Ura", ka tre momente kyçe të rëndësishme. E para, përfshirja dhe e korrierëve minorenë në trafikun e drogës. Fakti se shqiptarët dhe Shqipëria ishte dhe vijon të jetë furnizuesi kryesor i drogës së këtij mega-trafiku. Dhe fakti se kemi të bëjmë me grupe të strukturuara kriminale, mbi 10 persona që bën që akuza ndaj tyre të ketë një rëndesë akoma më të madhe sa i takon proceseve gjyqësore. Pa dyshim përdorimi i armëve janë të dokumentuara në këtë mega-hetim, paratë kesh të kapura, dhe përfshirja dhe e grave, të cilat, janë dy gra të cilat janë pjesë e urdhrave të ndalimit, pjesë e këtyre grupeve kriminale me bazë në Brindisi dhe në Leçe. Mendoj se ky operacion, "Pëshpërima", ka të rëndësishme faktin se kreu i asaj që ne kemi përcjellë në operacionin "Ura", pra anëtari i listës së forcës me bazë në Durrës, vijonte dhe pse në burg, vijonte të menaxhonte këtë mega-trafik, gjë e cila është e dokumentuar dhe në këtë tjetër dosje që quhet "Pëshpërima". Pra, siç e prezantuat dhe ju në hyrje, ndryshe nga ajo çka po ndodh në Shqipëri, ku ka heshtje totale.
Heshtje që e kemi parë edhe në maj të 2023-shit, ku hetimet dhe dosja e autoriteteve të anti-mafias italiane rrinin në sirtarë prej një muaji në pritje që të ekzekutoheshin masat e ndalimit, siç në thirrjen e 2023-shit. Edhe në këtë rast, kemi parë operacionet e fundit që vijojnë të ndjekin urën apo hetime të nisura nga operacioni "Ura" dhe ky operacion i sotëm do të na çojë të faktojmë se autoritetet italiane vijojnë dhe të nënvizojnë vërtet me fakte konkrete, por dhe në këtë dosje që përcjellin, qoftë për komunikim informativ për mediat, qoftë për nevojat e tyre, se hetimet vijojnë sidomos duke parë fijet lidhëse mes narkotrafikut shqiptar dhe të gjithë tregjeve të shitjes së drogës. Pra, mendoj se dhe ky tjetër operacion, "Pëshpërima", është i rëndësishëm për të vijuar dhe theksuar se autoritetet shqiptare, edhe një herë tjetër, mbajnë heshtjen totale ndaj një mega-operacioni siç ishte ai "Ura", që dokumentoi se presioni apo dyshimet e forta që ka opozita për lidhjen e narkotrafikut me influencën në fushatat elektorale dhe në votën, në rezultatin e votës, ka kondicionuar, kushtëzuar dhe ekzekutimin e këtij operacioni. Dhe ky operacion i sotëm vijon të thotë se edhe nga burgu narkotrafikantët shqiptarë kanë akses të menaxhojnë dhe të kryejnë aferat e tyre për mega-trafikun e drogës. Dëgjo, ka një ndryshim të jashtëzakonshëm atë që ndodh në Itali dhe atë që ndodh në Shqipëri. Nëse në Itali dokumentohen nga hetime të autoriteteve se narkotrafikantët kërkojnë të gjejnë rrugë të reja për trafikimin e lëndëve narkotike për të mos rënë në gjurmë të autoriteteve apo të investiguesve policorë, në Shqipëri autoritetet italiane e kanë të qartë që porti i Durrësit është hyrja kryesore e trafikut të drogës. Dhe absurditeti është se në këtë port vijon të mos kemi asnjë sasi droge, kokaine, të kapur.
Pra, nëse në Itali synohet të zbulohen kush janë rrugëtimet e reja të këtij mega-operacioni droge, të këtij trafiku droge, në Shqipëri ne e dimë apo ku janë portat hyrëse të këtyre sasive të drogës dhe kjo e bën absolutisht mjaft të qartë situatën që është në Shqipëri. Ajo çfarë dimë që po ndodh në territorin shqiptar, qoftë me bandën e Vlorës, qoftë me bandat e tjera në Elbasan apo në Shkodër, apo në zonat e tjera ku dimë se kanë influencë të shtrirë këtyre grupeve narkotrafikantësh, nuk ka asnjë ndihmë të aksioneve konkrete, qoftë në sekuestrimin e pasurive të tyre, të cilat janë vënë padyshim me këtë aktivitet kriminal, dhe qoftë në faktin se arrestimet, apo siç ndodhi arrestimi i një jave më parë të njërit prej anëtarëve të bandës së Vlorës, qëndronte, ishte i shpallur në kërkim prej një viti nga Interpol, dhe prej një viti ndodhej aty në Durrës dhe vijonte të lëvizte i lirë, natën, ditën.
Dhe një operacion po i autoriteteve italiane, këtë herë duke evituar bashkëpunimin me autoritetet policore shqiptare, duke përdorur vetëm Byronë, pra BKH-në, për ta patur partner në ekzekutimin e këtij arrestimi, është një tjetër shembull konkret që në Shqipëri vijojnë të kryejnë aktivitetin e tyre të lirë. Jo vetëm duke mos u arrestuar, por kjo sjell gjithë atë që është influenca e tyre në sektorin e ekonomisë, në ekonominë informale, dhe influencën që ata sjellin përmes këtij aktiviteti të madh fitimprurës që kanë edhe në politikën shqiptare dhe në sistemin qeverisës. Prandaj çdo hallkë e operacionit, e këtyre operacioneve duhet të jetë bashkëvepruese me atë ç'ka ndodh në Shqipëri. Por në Shqipëri, fatkeqësisht, edhe në intervistat që unë kam realizuar shumë herë, komenti i autoriteteve italiane është: ka mjaft fjalë, por punë konkrete nuk ka. Pra, shumë herë ka raste që operacionet dekonspirohen.
© SYRI.net