Terror për 4 vite/ Dhunoi gruan shqiptare dhe dy fëmijët e saj, gjykata dënon me burg 80-vjeçarin italian

Terror për 4 vite/ Dhunoi gruan shqiptare dhe dy fëmijët e saj, gjykata dënon me burg 80-vjeçarin italian

10:27, 10/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 80-vjeçar nga Presicce-Acquarica, në provincën e Leçes, është dënuar me 3 vite e 3 muaj burg për keqtrajtim në familje dhe plagosje, pasi u shpall fajtor për dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij shqiptare dhe dy fëmijëve të saj.

Vendimi u dha nga Seksioni i Parë Penal i Gjykatës, e cila vendosi gjithashtu ndalimin e të dënuarit nga ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite. Gjykata caktoi edhe një dëmshpërblim paraprak prej 25 mijë eurosh për gruan dhe djalin e saj të mitur, si dhe 10 mijë euro për vajzën madhore. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të lartë, prej 6 vitesh burg.

Sipas hetimeve, 80-vjeçari kishte sjellë në Itali gruan shqiptare, shumë më të re në moshë, së bashku me dy fëmijët e saj nga një lidhje e mëparshme, duke u premtuar një jetë më të mirë dhe siguri ekonomike. Por, sipas akuzës, pas mbërritjes në Itali, familja u përball me një situatë të rëndë dhune, frike dhe izolimi.

Për rreth katër vite, nga viti 2017 deri në maj të vitit 2021, gruaja dhe fëmijët e saj dyshohet se kanë jetuar nën kontrollin e vazhdueshëm të të moshuarit, i cili ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, i kërcënonte dhe u kufizonte lirinë.

Sipas dosjes hetimore, gruaja dhe fëmijët detyroheshin të zgjoheshin herët në mëngjes për të pastruar apartamente që jepeshin me qira, ndërsa fëmijëve u pengohej edhe ndjekja normale e shkollës.

Një nga episodet më të rënda të dokumentuara ka ndodhur në vitin 2017, kur djali, vetëm 6 vjeç, dyshohet se u godit dhe u përplas pas një kaloriferi, duke pësuar dëmtime në kokë që kërkuan ndërhyrje mjekësore në spitalin e Trikazes. Edhe vajza më e madhe raportohet se ishte dhunuar dhe kërcënuar në disa raste.

Hetimet nisën pasi gruaja dhe vajza e saj iu drejtuan disa herë urgjencës së spitalit me dëmtime që ngritën dyshime për dhunë në familje. Verifikimet zbuluan një histori abuzimi dhe kërcënimesh të vazhdueshme, që përfundoi me dënimin e 80-vjeçarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco