Banorët e Nikaj-Mërturit protestojnë kundër ndërtimit të tre digave në lumin e Mërturit

Banorët e Nikaj-Mërturit protestojnë kundër ndërtimit të tre digave në lumin e Mërturit

17:28, 05/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Më shumë se 300 banorë të krahinës së Nikaj-Mërturit, në Tropojë, bashkë me aktivistë mjedisorë, protestuan sot kundër projektit të KESH që parashikon ndërtimin e tre digave (prita malore) në lumin e Mërturit, një lumë që deri më sot mbetet një nga arteriet ujore më pak të cenuara të Alpeve Shqiptare dhe bukuritë e rralla natyrore të vendit.

Punimet për këtë projekt nisën rreth tre javë më parë, pa asnjë konsultim paraprak me banorët e zonës dhe pa vendosur asnjë tabelë informuese mbi natyrën e punimeve. Shqetësimi i banorëve u denoncua fillimisht nga Besnik Palnikaj në median lokale Nikaj Mërtur News, i cili u bë zëri i protestës dhe mobilizoi banorët, dhe së bashku protestuan sot në mënyrë paqësore pranë urës së Mërturit.

“Lumi i Mërturit në këtë projekt është cilësuar si përrua duke e konsideruar ndërhyrjen të nevojshme dhe të ligjshme, ndërkohë që nuk ka pasur transparencë në asnjë fazë të projektimit. Ne mendojmë se lumi nuk duhet të preket dhe kërkojmë rishikimin e këtij projekti si dhe përfshirjen e banorëve në konsultimet publike”, tha ai.  

Njësia Administrative e Lekbibajt kishte njoftuar fillimisht një dëgjesë publike për datën 29 qershor, e cila më pas u shty për datën 5 korrik, të njëjtën ditë me protestën e planifikuar nga banorët. Për shkak të mobilizimit të komunitetit, dëgjesa u anullua duke i lënë vendin protestës. Ndërsa Administratori i Njësisë Administrative iu bashkua banorëve në protestë ku u shpreh se do të qëndrojë në krah të tyre për të kërkuar transparencë mbi projektin,

Banorët e zonës u shprehën se kjo që po i ndodh krahinës së tyre është një ndërhyrje kundër vullnetit dhe vizionit të banorëve për zhvillimin e turizmit në zone dhe janë të bindur që kjo nuk është në të mirë të natyrës dhe as të banorëve. Vetëm një ditë përpara protestës së sotme, makineritë e punimeve u larguan nga shtrati i lumit. Megjithatë, banorët vendosën të vijojnë me protestën e planifikuar, duke u shprehur të vendosur për të mbrojtur lumin e Mërturit.

Në vetëm pak ditë, fadromat kanë tjerërsuar më shumë se 1 km të shtratit të lumit të Mërturit, duke devijaur rrjedhën dhe krijuar rrugë aksesi për makineritë. "Ndërtimi i këtyre digave në rrjedhën e lumit të Mërturit rrezikon tjetërsimin dhe dëmtimin e pakthyeshëm të  shtratit të tij. Kjo është një prej ndërhyrjeve të shumta që Shqipëria po i bën lumenjve, duke çuar në pakësim të rrjedhës natyrore prej 28% në vetëm 7 vitet e fundit.

Në një kohë kur duhen bërë studime të thelluara për të vlerësuar dëmin mjedisor nga ndërhyrjet e deritanishme, nuk mund të vijohet me projekte që dëmtojnë lumenjtë në mungesë të këtyre studimeve.", tha Besjana Guri, Drejtore Ekzekutive e LUMI, e cila iu bashkua protestës së banorëve. Një javë më parë ajo e ngriti shqetësimin mbi problematikën publikisht në ditën e 27-të të protestës kombëtare "Revolucioni i Flamingove" në Tiranë.

Krahina e Nikaj-Mërturit gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal që prej vitit 2014 dhe gjendet në zemër të Alpeve Shqiptare një zonë me potenical të lartë të turizmit natyror dhe me biodiversitet të pasur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco