Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vaun e Dejës, duke arrestuar një 38-vjeçar që transportonte një minë me telekomandë, ndërsa një bashkëpunëtor i dyshuar është shpallur në kërkim.
Operacioni policor i koduar “Remote” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një minë me telekomandë të lidhur me një aparat celular, e përshtatur për shpërthim në distancë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në pranga u vu shtetasi Euglen Buraku 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës, ndërsa u shpall në kërkim E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të përcaktuar destinacionin dhe qëllimin e transportimit të lëndës plasëse, si edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.
© SYRI.net