Një investigim i publikuar në median britanike “The Sun” ka zbuluar se mijëra emigrantë të deportuar më herët nga Mbretëria e Bashkuar janë rikthyer sërish në vend në vitet pas dëbimit.
Sipas të dhënave të analizuara për pesë vitet e fundit, janë regjistruar mbi 4,600 raste të ri-hyrjes në territorin britanik nga persona që më parë ishin larguar me forcë nga vendi. Po ashtu, rezulton se të paktën 723 individë janë deportuar më shumë se një herë.
Në krye të listës së shtetasve të identifikuar si të rikthyer qëndrojnë shqiptarët, me rreth 1,525 raste, duke përbërë më shumë se një të tretën e totalit. Pas tyre renditen shtetas nga Rumania, Afganistani, Lituania dhe Iraku.
Të dhënat përfshijnë gjithashtu statistika mbi kthimet vullnetare dhe deportimet e detyruara në vitin 2025, ku janë regjistruar mbi 26,000 kthime vullnetare dhe rreth 8,600 kthime të detyruara. Sipas shifrave, kostoja mesatare e një deportimi të detyruar në Britani arrin rreth 48,800 paund, çka ka ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin e sistemit.
Raporti vjen në një kohë kur emigracioni mbetet një nga çështjet kryesore politike në Mbretërinë e Bashkuar. Që prej ardhjes së kryeministrit Keir Starmer në detyrë në korrik 2024, mbi 76,000 emigrantë të paligjshëm kanë kaluar Kanalin e La Manshit, pavarësisht marrëveshjes me Francën të njohur si “një brenda, një jashtë”, e cila synon frenimin e këtij fenomeni.
© SYRI.net