Në orët e para të mëngjesit të sotëm (28 qershor) në IEVP Shkodër u regjistrua një emergjencë shëndetësore. I paraburgosuri me inicialet Ç. J., i cili ishte i akomoduar në të njëjtën dhomë me të birin, të burgosurin me inicialet D. J., pësoi një përkeqësim të papritur të gjendjes shëndetësore, çfarë bëri të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të personelit mjekësor.
Personeli shëndetësor i institucionit i ofroi menjëherë ndihmën e parë dhe, për shkak të rëndimit të gjendjes, u vendos transportimi i tij me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut.
Gjatë transportit, si dhe pas mbërritjes në urgjencën spitalore, stafi mjekësor kreu të gjitha procedurat e reanimimit kardiorespirator, por, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, mjekët konstatuan ndarjen e tij nga jeta.
Në përputhje me procedurat ligjore, organet kompetente janë njoftuar menjëherë dhe kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
© SYRI.net