Gjykata e Lartë ka shpallur thirrjen publike për gjyqtarët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në kuadër të procesit të rinovimit të përbërjes së këtij institucioni kushtetues.
Sipas njoftimit zyrtar, më 12 dhjetor 2026 përfundon mandati pesëvjeçar i tre anëtarëve të KLGJ-së: një përfaqësuesi të gjykatave të shkallës së parë, një të gjykatave të apelit dhe një anëtari të zgjedhur nga Gjykata e Lartë.
Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka shpallur më 26 qershor thirrjen për paraqitjen e kandidaturave. Gjyqtarët e interesuar duhet të dorëzojnë kërkesën e tyre deri më 13 korrik 2026, së bashku me dokumentacionin e kërkuar.
Dosja e aplikimit duhet të përfshijë CV-në e përditësuar, deklaratat e mbështetjes nga gjyqtarë të tjerë, formularin e vetëdeklarimit, platformën e objektivave, si dhe deklaratat për integritetin dhe konfliktin e mundshëm të interesit.
Në përfundim të njoftimit, Gjykata e Lartë u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kriteret ligjore të bëhen pjesë e procesit, me synimin për të siguruar një përbërje të KLGJ-së të mbështetur në profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.
© SYRI.net