Një çift nga Birmingham është burgosur pasi në shtëpinë e tyre u gjetën £51,450 para cash dhe një sasi e madhe droge e fshehur.
Shqiptarët Kristian Lleshi, 35 vjeç, dhe Xhulijana Trimi, 29 vjeçe, u arrestuan në një shtëpi në Cornbrook Road, Shenley Green, shtatorin e kaluar.
Kanabis u gjet gjithashtu në adresë gjatë një operacioni të kryer nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Hetuesit zbuluan dy qese të mëdha plehrash në papafingo që përmbanin shtatë kilogramë drogë të paketuar në mënyrë vakum, si dhe edhe dy kilogramë të tjerë në një çantë TK Maxx në korridor.
Paratë cash ishin fshehur në vende të ndryshme, përfshirë në një portofol dhe një çantë në dhomën e zhveshjes, në një komodinë pranë shtratit, në një enë të proteinave (protein shake container), në një dollap në dhomën kryesore të gjumit dhe nën një shtrat në dhomën e dytë të gjumit.

U sekuestruan gjithashtu sende me vlerë si bizhuteri ari, çanta dhe këpucë.

Çifti u arrestua nën dyshimin për posedim me qëllim furnizimi të kanabisit dhe për vepra të pastrimit të parave.
Lleshi dha intervistë pa koment, ndërsa Trimi tha se nuk ishte në dijeni për drogën apo paratë, dhe se e kishte njohur Lleshin vetëm prej tre muajsh përmes një lavazhi makinash në Banbury ku ata punonin, dhe se nuk ishin në një lidhje.
Ajo pretendoi se kishte blerë sendet me vlerë të lartë të dorës së dytë në faqe si eBay dhe Vinted.
Por faqja e saj në Facebook tregonte se çifti kishte qenë në një lidhje që të paktën nga viti 2023, me Trimi që kishte lënë koment “love u baby” nën një foto të tyre në Cornwall.
Hetuesit e NCA gjetën gjithashtu fatura që tregonin blerje nga Selfridges me para cash, në vend që sendet të vinin nga eBay.
Një burrë i dytë në shtëpi u zbulua se ishte shkelës i ligjit të emigracionit dhe iu kalua autoriteteve të Imigracionit.
Operacioni i NCA çoi gjithashtu në zbulimin e një ferme kanabisi në një adresë në Dudley, ku bimë me vlerë rreth £78,000 u hoqën dhe u shkatërruan.
Hetimet për atë sekuestrim vazhdojnë, tha agjencia.
Lleshi dhe Trimi u deklaruan fajtorë në Gjykatën e Birmingham Crown Court më 7 tetor dhe 4 mars respektivisht.
Në të njëjtën gjykatë dje, të mërkurën më 24 qershor, Lleshi u dënua me 2 vite e 2 muaj burg, ndërsa Trimi me 18 muaj burg.
Komandanti i degës së NCA, Saju Sasikumar, tha:
“Shpjegimi i dhënë nga Trimi për arsyen pse në shtëpinë e saj kishte drogë dhe para ishte plotësisht i pabesueshëm.”
“Hetimet tona treguan se ajo dhe Lleshi ishin në dijeni për to dhe ishin të përfshirë në krim.”
“NCA punon ngushtë me partnerët tanë për të çmontuar tregtinë e drogës së paligjshme dhe për të shkatërruar modelet e biznesit të përdorura nga grupet e krimit të organizuar.”
© SYRI.net