Rreth 100 familje të lagjes Lulaj në fshatin Varibob kanë dalë sot në protestë, duke kundërshtuar mënyrën se si po realizohen punimet për asfaltimin e rrugës së lagjes së tyre.
Sipas banorëve, segmenti rrugor ka një gjatësi prej rreth 800 metrash, por firma e kontraktuar ka parashikuar të shtrojë me asfalt vetëm gjysmën e tij, rreth 400 metra.
Banorët shprehen se një ditë më parë, gjatë bisedave me punonjësit e firmës dhe me kryetarin e njësisë administrative, kanë mësuar se projekti parashikon asfaltimin vetëm të një pjese të rrugës. Të revoltuar nga ky vendim, ata nuk kanë lejuar nisjen e punimeve.
Edhe mëngjesin e kësaj të enjteje, banorët janë rikthyer sërish në rrugë, duke bllokuar punimet dhe duke kërkuar që i gjithë segmenti të asfaltohet.
“Më mirë të mos shtrohet fare, sesa të shtrohet gjysmë e gjysmë”, shprehen banorët, të cilët argumentojnë se gjatë shirave të vjeshtës pjesa e paasfaltuar mund të dëmtojë edhe segmentin e ri, duke bërë që asfalti të degradojë dhe të përfundojë në kanalet anësore të lagjes.
Ata kujtojnë se asfaltimi i plotë i rrugës ka qenë një nga premtimet e dhëna gjatë fushatave zgjedhore dhe kërkojnë që ky premtim të mbahet.
“Deri sa fjala jonë të shkojë në vend, ne nuk do të lejojmë firmën të vazhdojë punimet”, deklaruan banorët protestues
© SYRI.net