Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha konferencë për shtyp

Zbardhen detajet e ngjarjes në Milano në qendër të hetimeve shtetasi shqiptar

Zbardhen detajet e ngjarjes në Milano në qendër të hetimeve shtetasi shqiptar

10:46, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Milanon, ku një ndjekje policore pas një postblloku përfundoi me vdekjen e një agjenti të policisë lokale.

Në qendër të hetimeve ndodhet Genti Berisha, 26 vjeç, shtetas shqiptar, i cili drejtonte një Audi Q8 SUV me qira në momentin e incidentit.

Prokuroria italiane po verifikon jo vetëm dinamikën e aksidentit, por edhe lidhjet e mundshme të Genti Berishës me rrjete kriminale, për shkak të përfshirjes së tij të mëparshme në hetimin “Icaro” të prokurorisë së Brescias.

Ky hetim goditi një rrjet trafiku kokaine nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe përmendte edhe struktura kriminale të njohura si klani Çela.

Në automjet udhëtonin dhe 3 shqiptarë të tjerë por Genti Berisha fsheh emrat e dy prej tyre.

Autoritetet po analizojnë nëse këto lidhje kanë ndonjë ndikim në ngjarjen e fundit apo në mënyrën si u zhvillua arratisja.

Sipas të dhënave hetimore, ngjarja nisi në zonën e Ponte Lambro, ku automjeti nuk iu bind urdhrit të ndalimit të policisë dhe u largua me shpejtësi të madhe.

Menjëherë pas tij u vunë në ndjekje disa patrulla të policisë lokale me motoçikleta. Gjatë ndjekjes, e cila zgjati disa kilometra dhe u zhvillua me shpejtësi të lartë, situata doli jashtë kontrollit.

Në një segment rruge pranë zonës së Linate-s, agjenti i policisë lokale Francesco Imprezzabile, 39 vjeç, humbi kontrollin e motoçikletës dhe doli nga rruga, duke u përplasur në një zonë fushore. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, ai ndërroi jetë në spital.

Pas një kërkimi disaorësh, Genti Berisha u arrestua në një banesë në Monza. Ai pranoi se ishte drejtuesi i automjetit, por mohoi çdo kontakt me motoçikletën e policisë gjatë ndjekjes.

Sipas deklarimeve të tij, ai është larguar nga frika e kontrolleve policore, duke përmendur edhe faktin se kishte me vete sasi të vogla hashashi dhe ishte nën masën e detyrimit të paraqitjes pranë komisariatit të zonës.

Historia e “hashashit në xhep” dhe frika nga një kontroll policor që mund t’i përkeqësonte masën e detyrimit për paraqitje (deryrim i firmës) me të cilin ishte nënshtruar, nuk i bind hetuesit. Po ashtu, hetuesit nuk i besojnë këmbënguljes së Berishës për të mos treguar emrat e dy miqve të tjerë që ishin me të përveç 30-vjeçarit Andrea P. shqiptar.

"Ishim 4 në makinë dhe e drejtoja unë. Ppr ata nuk kane lidhje fare", është deklarata e Genti Berishës.

Operacioni “Icaro” u zhvillua më 21 janar 2021

Që në orët e para të mëngjesit, Policia e Shtetit në Brescia, përmes hetuesve të Skuadrës Mobile të Komisariatit dhe S.I.S.C.O., në bashkëpunim me Shërbimin Qendror Operativ (S.C.O.) të Drejtorisë Qendrore Antikrim dhe Policinë shqiptare, ekzekutoi një urdhër që parashikonte 12 masa sigurie me burg ndaj personave që ndodheshin në Shqipëri dhe në provincat Brescia, Milano, Novara dhe Verona, si dhe 8 masa në pritje të marrjes në pyetje paraprake të të dyshuarve.

Ata u konsideruan përgjegjës për veprën penale të organizimit kriminal transnacional me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të kokainës, që përfshinte gjithsej 40 të hetuar italianë dhe shqiptarë.

Gjithashtu u kryen kontrolle dhe bastisje në provincat Brescia, Torino, Bolzano, Cremona, Pavia, Trento dhe Treviso.

Hetimi – i zhvilluar nën kujdesin e Eurojust dhe me koordinimin e Prokurorisë së Republikës së Brescias (DDA) dhe SPAK-ut shqiptar – ishte zhvilluar përmes një Skuadre Hetimore të Përbashkët (S.I.C.) mes Policisë Italiane dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë shqiptare. Ai kishte nisur në gjysmën e dytë të vitit 2020, pas zbulimit të një aktiviteti të shpërndarjes së drogës në disa lokale argëtimi pranë Liqenit të Gardës.

Hetimet, të nisura pas identifikimit të furnizuesit të kokainës që shitej gjatë netëve në këto ambiente, kishin rindërtuar strukturën e një grupi kriminal italo-shqiptar të dedikuar importimit nga Amerika e Jugut të sasive të mëdha të kokainës, e cila mbërrinte në Itali përmes kamionëve që furnizoheshin në vendet e Europës Qendrore.

Në krye të celulës së Brescias dyshoheshin se qëndronin dy vëllezër shqiptarë, pjesë e një prej klaneve më të rrezikshme të mafias shqiptare, të njohur si klani “Çela” i Elbasanit. Ata udhëhiqnin një grup bashkëpunëtorësh në provincën e Brescias dhe zona të tjera të Italisë veriore, duke organizuar importimin dhe shpërndarjen e kokainës.

Organizata merrej me të gjitha fazat e trafikut të drogës: magazinimin, shpërndarjen dhe mbledhjen e të ardhurave, të cilat dërgoheshin drejt Shqipërisë përmes një sistemi të organizuar që përdorte edhe shoferë autobusësh në linjën Brescia–Elbasan.

Një nga zhvillimet e rëndësishme të hetimit ndodhi në nëntor 2021, kur u arrestua një nga të dyshuarit me 350 kg kokainë, të destinuara për këtë grup kriminal në Brescia.

Hetimet treguan gjithashtu se anëtarët e organizatës përdornin telefona të enkriptuar dhe zhvilluan kontakte ndërkombëtare për trafikun e qindra kilogramëve kokainë.

Sipas hetimeve, drejtuesit e grupit udhëtonin shpesh në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai për të lidhur marrëveshje me furnizuesit e drogës.

Operacioni u mbështet nga struktura të ndryshme ndërkombëtare si Interpol, Europol dhe policitë e disa vendeve evropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco