Pas pezullimit nga detyra me firmën e ish-kryepolicit të komanduar, Sokol Bizhga, pak javë më parë, me vendim të drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, përjashtohet nga radhët e bluve, Ulian Shpataraku.
Motivi i përjashtimit bëjnë të ditur burime është mos paraqitje në detyrë.
Në muajin mars vendimi për pezullimin e tij nga detyra është marrë për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale.
Mësohet se Shpataraku ishte duke ndjekur studimet master në Akademinë e Sigurisë, por dyshohet se, me argumentin e vijimit të studimeve, nuk paraqitej rregullisht në punë.
Shpataraku, si çdo efektiv i përjashtuar nga Policia e Shtetit ka të drejtën e ankimit, komisioni i cili brenda 1 muaji konfirmon ose jo zyrtarisht përjashtimin nga radhët e uniformave blu.
Ulian Shpataraku njihet ndryshe edhe si mik i Ilir Prodës. Ai ka punuar si zëvendës i Prodës në Elbasan dhe të dy njihen për miqësi të ngushtë mes tyre.
Shpataraku, në vitin 2023, kur mbante pozicionin e Shefit të Anti-Drogës në Policinë e Elbasanit, u pezullua nga detyra, në vijim të një hetimi për shpërdorim detyre. Ai u mor nën hetim nga Prokuroria, pasi kishte liruar në mënyrë të dyshimtë një person, i cili ishte në kërkim për “shfrytëzim lokalesh për përdorim droge”.
© SYRI.net