Gjykata e Sarandës ka lënë të lirë me masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ish-oficerin e policisë së Komisariatit të Sarandës, Irakli Koçiaj.
Nuk dihet se me çfarë motivi është argumentuar lirimi i tij, duke ditur që 7 efektivët e tjerë të arrestuar deri tani nga Komisariati i Sarandës janë lënë në masa shtrënguese nga “Arrest shtëpie” deri në “Arrest në burg” me afat, duke e bërë Koçiajn të vetmin ish- efektiv në liri.
Koçiaj u vetëdorëzua mëngjesin e dy ditëve më parë, pasi ndaj tij ishte caktuar në mungesë më 25 maj, masa e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale “shpërdorim detyre”, si i dyshuar për favorizim të ndërtimeve pa leje në Ksamil. Me iniciativë të AMP dhe urdhra të Prokurorisë deri tani kanë rënë në pranga 8 ish - efektivë të Komisariatit të Sarandës
përfshirë ish-Shefin. Gëzim Bashllari dhe ish-specialistin e zonës Robert Çulli që ndodhen në burg dhe për pak ditë do u rivlerësohet masa e sigurimit, ndërsa oficerët dhe specialistët Blerim Tafçiu, Andi Duro, Ajdin Islamaj, Kastriot Satka dhe Kristofor Shkrepa, ndodhen në “Arrest në shtëpi”.
Ndërkohë mbrëmjen e së enjtes mësohet se është ushtruar kontroll në banesën e ish-oficerit Ajdin Islamaj, të cilit i janë sekuestruar telefonat celularë me vendim të Prokurorisë. Nuk dihet ende qëllimi pse është ushtruar ky kontroll, por mësohet se ditën që është ndaluar nga AMP, ai nuk i ka dorëzuar celularët duke u shprehur se nuk kishte.
© SYRI.net