SPAK dhe Policia e Shtetit kanë nisur mëngjesin e sotëm një operacion për zbatimin e masave të sigurisë për Artur Shehun dhe biznesmenë, që dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer pastrim parash. Veç 20 urdhër arresteve për emra të njohur të krimit dhe biznesit, SPAK ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 140 milionë eurove ku 128 milionë euro nga llogaritë e “Albanian Land Development”, kompani me administrator Redi Strugën që ka kryer transaksionin për blerjen e tokës në Zvërnec.
Prokuroria e Posaçme ka goditur dy grupe të strukturuara kriminale në trafikun e drogës duke lëshuar masa sigurie edhe për disa biznesmenë që akuzohen për pastrim parash.
SPAK ka lëshuar 20 masa sigurie, 15 ‘arrest me burg’ e 5 ‘arrest në shtëpi’. Në pranga ka rënë biznesmeni Orest Sota, ndërsa në ‘arrest shtëpie’ është Edmond Jaupi. Në kërkim janë shpallur biznesmenët Artur Shehu e Ilir Shtufi, të cilët ndodhen jashtë vendit.
Në kërkim gjithashtu është edhe biznesmeni tjetër Orges Birçaj. Mes personave, ndaj të cilëve është lëshuar masa e sigurisë ‘Arrest me burg’ janë edhe Artur alias Luçiano Koçeku, Abedin Koçeku, Dritan Aga, Gëzim Islami dhe Baftri Troci.
Gjithashtu, burimet shpjegojnë se ky aksion ka si premisë përgjimet e zbardhura Sky ECC, ku kanë qenë në sitë anëtarët e një grupi kriminal të trafikut të drogës, e ku është zbardhur edhe skema e pastrimit të parave që përfitoheshin nga ky aktivitet, kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Grupi i parë përbëhej nga Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Adrian Rama, Elton Memeti, Orgest Birçaj, Orest Sota, Dritan Aga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Alfred Hamzai, kanë marrë pjesë në trafikim masiv të lëndëve narkotike në disa shtete të Evropës, nga vendet e Amerikës Latine.
Mase sigurie për
Artur Shehu
Leonard Bishaj
Artur alias Luçiano Koçeku
Abedin Koçeku
Ervin Koçeku
Orest Sota
Ilir Shtufi
Orgest Birçaj
Dritan Aga
Gëzim Islami
Edmond Jaupi
Alfredo Hamzai
Ardian Zykaj
Adrian Rama
Erjon Rama
Elton Memeti
Arben Ismailaj
Besnik Myftari
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Trafikimi ndërkombëtar bëhej nga Amerika Latine në portet Anterverp dhe Roterdam përmes kompanive të transportit detar në formën e qymyrit të drurit, pastave të frutave ose në pako të fshehura në kontenierë, të cilat në shumicën e rasteve janë kompani të krijuara dhe drejtuara prej tyre posaçërisht për këtë aktivitet, në bashkëpunim të mundshëm brenda shërbimeve doganore në porte të Europës.
Përpunimi dhe ekstraktimi kimik kryhet në magazina apo ambiente të marra me qira në disa shtete europiane, kryesisht në Hollandë dhe Belgjikë. Këto lëndë shpërndahen më pas në disa shtete të BE-së, me një çmim që varion nga 26,000 deri në 30,000 euro për kilogram. Shitja kryhet në territore ku dukshëm furnizimi mbulohet vetëm nga prurjet e tyre, si Belgjika, Hollanda, Britania e Madhe, Irlanda, Italia dhe Spanja.
Ndërkohë grupi i dytë që trafikonte drogë drejtohej nga vëllezërit Abedin e Luçiano Koçeku dhe kujtojmë se ky i fundit u dhunua në gusht të vitit 2024 në një resort luksoz në Palasë për një shkak banal.
Mes personave të përfshirë rezulton edhe biznesmeni Edmond Jaupi, CEO i Daikin/ESC, kompani e njohur në tregun e kondicionimit, për të cilin është caktuar masa “arrest në shtëpi”. Por emri i Jaupit e bën çështjen edhe më delikate politikisht dhe institucionalisht. Ai rezulton të jetë vëllai i Elidiana Çelajt, aktualisht drejtoreshë e AKUK-ut, ndërsa më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së bizneseve VIP në Drejtorinë e Tatimeve. Për të saktësuar lidhjen familjare mes Jaupajt dhe Elidiana Çelajt, Syri TV iu drjetua drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare së Ujësjellësit për reagim, por në institucionin që ajo drejton stafi i afërt na komunikoi se drejtoresha nuk ishte e disponueshme për përgjigje deri ditën e hënë, duke marrë kështu tre ditë kohë për të saktësuar nëse personi i arrestuar nga SPAK është i vëllai i një prej personazheve më të rendësishme të institucioneve të rilindjes.
SPAK ka sekuestruar është edhe një shumë prej rreth 140 milion eurosh në llogaritë bankare te noteres publike Amela Mukaj, që ishin në pritje për të kaluar tek pronarët e sipërfaqeve të tokave për investim në Zvërnec.
Gjithashtu Orgest Birçajt, i njohur si pronar i “Top Seven”, kompani të shitjes së makinave luksoze, i janë sekuestruar një sërë pasurish.
Ndërsa vëllezërit Erion dhe Adrian Ramaj, të njohur si sipat e “Mirit të Xhikes” që janë subjekte të këtij operacioni, iu është sekuestruar një vilë.
Shtetasit Ardian Zykajt i janë sekuestruar Gomone, pjesa takuese në një sipërfaqe trualli, 17 llogari bankare, gjendja në llogaritë bankare të shoqërive të lidhura me Ardian Zykajn.
Ndërkohë Artur Shehu që jeton prej më shumë se dy dekadash në Amerikë pasi ka marrë azil, ka dyshime se përmes dokumentave të falsifikuara ku del i përfshirë ish-avokati Pëllumb Petriti, të ketë marrë pronësinë mbi sipërfaqe të konsiderueshme toke për të cilat pretendon se shumica janë të trashëguara. Burime jo zyrtare thonë se procedimi është ndarë sa i takon çështjes “Zvërneci” ku disa ditë më parë ishin subjekte kontrolli dhe të sekuestrimeve Pëllumb Petritaj, Leonard Bishaj, Enkes Hysendhima, Fariare Ndreu, Ina Shuraj, dhe Amarildo Petritaj.
© SYRI.net