Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtori i policisë qarkut Durrës, Afrim Tafa. Këto masa pas një ngjarje të rënda janë thjesht shpërlarje e pasojave për të "larë gojën". Një shtet i dështuar në të gjitha instancat nuk ka sesi të ketë ndonjë farë suksesi edhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve në derën e shtpëisë së tyre nga pijanecë të njohur për policinë por të pandëshkuar ndonjëherë.
Burimet shpjegojnë se në vend të drejtorit të pezualluar të Durrësit është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.
Ndërkohë që janë pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave edhe, zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.
© SYRI.net