Pas disa vitesh në kërkim është arrestuar në Borsh Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri.
Arrestimi është bërë mbrëmjen e sotme në një lokal në Borsh.
Emri i tij, i njohur prej vitesh në dosjet e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së drejtësisë shqiptare dhe italiane.
Sipas të dhënave, Gjykata e Posaçme e ka dënuar në janar të këtij viti me 10 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole.
Habilaj rezulton i kërkuar prej vitesh edhe nga drejtësia italiane, ku është përballur me procese të gjata gjyqësore dhe dënime të konfirmuara në të gjitha shkallët e gjykimit. Pas një periudhe në arrest shtëpie në Itali, ai u arratis në vitin 2021, duke iu shmangur ekzekutimit të dënimit për trafik ndërkombëtar droge.
Pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit në Katania të dënimit me 15 vite burg, autoritetet italiane ndërhynë në banesën ku ai duhej të ishte nën masën e arrestit shtëpiak, por nuk e gjetën më aty.
Gjykata e Apelit në Katania nuk ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi dënimin me 15 vite burg të dhënë më 19 qershor 2019.
Emri i Moisi Habilajt është i lidhur prej kohësh me rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës me shtrirje në Siçili, ndërsa ai mbetet i njohur publikisht edhe për lidhjen familjare me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili vuajti më pak se tre vite burg, pas dënimit.
© SYRI.net