Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale

Familja e 33-vjeçarit Makladio Hoxha kërkon drejtësi pas pushimit të çështjes për aksidentin fatal në Fier

Familja e 33-vjeçarit Makladio Hoxha kërkon drejtësi pas pushimit të çështjes për aksidentin fatal në Fier

10:06, 13/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familjarët e Makladio Hoxha, 33 vjeç, i cili humbi jetën në një aksident rrugor në nëntor 2025 në aksin Suk–Strum, kanë reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pushimin e çështjes.

Vetëm dy ditë pas këtij vendimi, familjarët e viktimës deklarojnë se nuk pajtohen me mënyrën si është trajtuar dosja dhe kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, brenda afatit ligjor prej dy javësh.

Sipas të dhënave të bëra publike, Makladio Hoxha po udhëtonte me motoçikletë kur u përfshi në një përplasje me një automjet. Ai humbi jetën në vendngjarje. Pas aksidentit, policia kreu veprimet hetimore dhe u shoqëruan dy persona që ndodheshin në automjetin tjetër të përfshirë në ngjarje.

Bashkëshortja e tij, Dajana Hoxha, shprehet se familja është e zhgënjyer nga procesi gjyqësor dhe pretendon se fillimisht u ishte dhënë garanci nga avokati se çështja ishte në favor të tyre, por më pas, sipas saj, gjithçka ndryshoi gjatë gjykimit. Ajo thekson se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.

Nëna e viktimës, Mimoza Hoxha, ngre gjithashtu pretendime për lidhje të mundshme mes gjyqtarit që shqyrtoi çështjen dhe një prej personave të përfshirë në aksident, por këto akuza nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet.

Familjarët kanë hedhur gjithashtu dyshime ndaj avokatit të tyre, duke pretenduar se ai mund të ketë bashkëpunuar me palën tjetër, pretendime që mbeten për t’u verifikuar.

Nga ana e tij, avokati Rudin Birçaj ka deklaruar se procesi është zhvilluar normalisht dhe se, sipas vlerësimit të tij, viktima ka qenë shkaktari i aksidentit pasi ka goditur nga pas automjetin tjetër. Ai ka shtuar se vendimi i gjykatës ka sjellë pushimin e çështjes dhe se palët kanë të drejtë ankimi.

Në fokus të familjes mbetet edhe situata e rënduar sociale. Bashkëshortja e viktimës, Dajana Hoxha, thotë se ka mbetur e vetme me dy fëmijë të mitur një djalë 4-vjeçar dhe një vajzë 8-vjeçare duke kërkuar që institucionet të rishikojnë me kujdes çështjen dhe të japin drejtësi për humbjen e bashkëshortit të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco