Autor i 2 sulmeve me armë e tritol, arrestohet 37-vjeçari në Paskuqan! Në momentin e ndalimit mbante maskë silikoni (EMRI)

09:09, 06/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 37-vjeçar autor i dy sulmeve me armë zjarri, është arrestuar në zonën e Paskuqanit, në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me një motomjet pa targa dhe i pajisur me armë zjarri, lëndë eksplozive dhe lëndë djegëse. Shtetasi me inicialet Perikli Doçi u ndalua në afërsi të liqenit të Paskuqanit, ndërsa në momentin e kapjes kishte vendosur edhe një maskë silikoni.

Nga verifikimet, ai dyshohet të jetë autor i dy ngjarjeve të mëparshme në të njëjtën zonë, ku ka qëlluar me armë zjarri drejt një banese dhe ka vendosur lëndë plasëse në një tjetër, duke shkaktuar dëme materiale.

Perikli Doçi është një person i njohur për policinë, pasi në tetor të vitit të kaluar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së Q.K, i cili jeton jashtë Shqipërisë, në afërsi të urës së fshatit Tapizë të Fushë Krujës si dhe më pas automjetin e përdorur në krim, e ka djegur në urën e Tapizës. 

Po në të njëjtin muaj, më 17 tetor 2025, ai ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit R.D në Paskuqan 2 ku ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Lexo edhe:  Misteri i makinës së shkrumbuar, ku brenda u gjetën edhe dy automatikë! Dyshohet se mjeti është përdorur për…

Image

Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Kontigjenti”.

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale kundër personit dhe pronës, si dhe zbardhen 2 të tilla, të kryera nga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapet, si rezultat i ndjekjes policore, një 37-vjeçar që kishte siguruar, për qëllime kriminale, lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.

Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur maskë silikoni.

Sekuestrohen sasi lënde eksplozive (gati për shpërthim), 10 litra lëndë djegëse, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, 1 maskë silikoni dhe 1 motomjet pa targa (i dyshuar i vjedhur).

Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi P. D., 37 vjeç, banues në Paskuqan.
37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.

Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.

Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco