Nga Elton Qyno -Syri
Shtatë vjet pas shpalljes së fituesit të koncesionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, prokuroria e posaçme SPAK, është “zgjuar” për të gjetur zyrtarët përgjegjës të këtij konçesioni, që tashmë ka futur në konflikt dhe bashkëaksionerët.
Në limitet kohore të parashkrimit të veprës penale siç është ajo e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”, gjatë muajit Mars 2026, SPAK ka thirrur në prokurori disa zyrtarë të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës, duke i komunikuar akuzën penale.
Bëhet fjalë për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Ministrisë, të cilët sipas SPAK gjatë dhjetorit 2019 deri në muajin Mars 2021, kanë kryer veprime që krijojnë bindje për konsumimin e veprës penale të “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike”.
Aeroporti i Vlorës është një histori që vijon tashmë prej disa vitesh.
Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga një konsorcium turk. Kërkesa erdhi pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare.
Ndërkohë konsorciumi që u vetëofrua me kërkesë zyrtare dhe që më pas ka fituar konçesionin për dërtimin e aeroportit të Vorës, është firma “Mabco Construction”, turqit e “YDA Insaat SanayiVe Ticaret” dhe kompania 2A Group me një vlerë investimi prej 104.3 milion euro.
Pas shpalljes së fituesit në muajin Prill 2021, Draft-Kontrata mes ministrisë dhe 3 kompanive fituese të këtij koncesioni, dërgohet për vlerësim ekonomik në Ministrinë e Financave dhe pas një analize financiare, kjo ministri konfirmon Draft-Kontratën.
Ndërkohë pas kësaj procedure, në datën 20 Prill 2021, ish-ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku nënshkruan kontratën koncesionare me përfaqësuesin e konsorciumit fitues në prani të kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit nga Kosova, Behgjet Pacolli.
Ndërkohë 1 muaj më pas, në 17 Maj 2021, është themeluar kompania koncesionare “Vlora International Airport” në pronësinë e “Mabco Construction” (58%), “Yda Group” (40%) dhe “2A Group” (2%).
Por në 8 shtator 2022 kompania turke, “Yda Group” largohet nga projekti, duke i shitur aksionet për 4450 euro kompanisë “Mabco Construction” të Behgjet Pacollit.
Mirëpo 3 vjet pas ikjes së turqve, lind një konflikt mes dy miqve shqiptarë, Valon Ademi dhe Behgjet Pacollit. Në datën 15 shtator 2025,kompania “2A Group” e Valon Ademit, depoziton një kërkesë për sigurim padie në Gjykatën e Tiranës, ku pretendon njohjen e tij si pronar i 49 përqind të aksioneve në VIA.
Dhe në 17 shtator, Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë votën e Mabco Construction deri në zgjidhjen e çështjes në themel. Ndërkohë në 20 Tetor 2025, Emin Pacolli, vëllai i Behgjet Pacollit, padit Valon Llukën dhe Valon Ademin për veprën penale të mashtrimit në Prokurorinë e Tiranës.
Aktualisht çështja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, është kthyer një dosje penale në prokurorinë e Tiranës, ku dy aksionerët kanë kallëzuar njeri-tjetrin për mashtrim me pasoja të rënda.
© SYRI.net