Policia e Lezhës ka zbardhur autorësinë dhe rrethanat e shpërthimit me lëndë plasëse që ndodhi dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua automjeti i një punonjësi policie.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizimit të pamjeve filmike në disa akse rrugore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Fatjon Rrika, 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në Itali për vjedhje me armë.
Ai u kap në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa lëvizte me ciklomotorin që dyshohet se kishte përdorur për të shkuar në vendngjarje ditën e shpërthimit.
Gjatë operacionit, autoritetet nisën procedim penal edhe për babanë e tij, shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi në banesë iu gjet një armë gjahu pa leje. Policia sekuestroi si prova materiale ciklomotorin dhe armën.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar një person tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
© SYRI.net