Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Sipas gazetarit të Syri tv Fatjon Gjinaj, kërkesa e saj ishte refuzuar më herët edhe nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit. Në prill të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi edhe një tjetër rekurs të Ballukut, me të cilin ajo kundërshtonte masën e ndalimit të daljes jashtë vendit. Pasaporta e saj vijon të mbetet e sekuestruar me vendim të GJKKO-së.
Masat ndaj ish-numrit dy të qeverisë u vendosën pasi SPAK i komunikoi akuzën për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me procedurën e tunelit të Llogarasë. Ajo është gjithashtu nën hetim për shtatë lote të Unazës së Madhe të Tiranës dhe tre procedura të tjera të prokurimeve publike.
Për arrestimin e saj, SPAK kërkoi autorizim nga Kuvendi, por shumica socialiste votoi kundër. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në kuadër të këtij procedimi, SPAK ka sekuestruar një vilë në Dhërmi, e regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare, për të cilën dyshon se është pasuri e Ballukut.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila dyshohet të jetë përfituar si ryshfet në këmbim të dhënies, në kundërshtim me ligjin, të dy tenderëve me vlerë mbi një milion euro gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol. Belinda Balluku u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së më 20 nëntor 2025, ndërsa tre muaj më vonë u shkarkua nnga kryeministri Edi Rama, në kuadër të ndryshimeve në kabinet.
© SYRI.net