Alibia e ‘shqiptarit’ – Detaje nga dosja e e Prokurorisë së Romës mbi atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci

Alibia e ‘shqiptarit’ – Detaje nga dosja e e Prokurorisë së Romës mbi atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci

13:54, 16/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Syri TV sjell elemente ekskluzive nga dosja e Prokurorisë së Romës mbi atentatin ndaj gazetarit investigativ italian të Report, Sigfrido Ranucci

Nga Alba Kepi/

Alibia e “shqiptarit”...

Çfarë thotë vendimi i Gjykatës së Romës për atentatin ndaj Sigfrido Ranucci

Syri TV sjell elemente ekskluzive nga dosja e Prokurorisë së Romës mbi atentatin ndaj gazetarit investigativ italian të “Report”, Sigfrido Ranucci. Referenca për një “shqiptar” në vendimin gjyqësor të Gjykatës së Romës, i cili ka çuar në arrestimin e pesë personave të dyshuar për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit të RAI-t, nuk lidhet me identifikimin e një autori apo bashkëpunëtori të hetuar.

Përkundrazi, dokumenti gjyqësor e përshkruan këtë referencë si pjesë të një alibie të ndërtuar nga vetë të dyshuarit nën masë ndalimi, e menduar për t’u përdorur në rast arrestimi.

Vendimi gjyqësor prej mbi 100 faqesh, i firmosur nga Gjykatësi për Hetimet Paraprake (GIP) i Gjykatës së Romës, rindërton në detaje organizimin dhe ekzekutimin e atentatit të ndodhur më 16 tetor 2025 në Torvaianica, ku pranë banesës së gazetarit u vendos një sasi eksplozivi industrial. Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa Sigfrido Ranucci dhe familjarët e tij nuk pësuan lëndime.

Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria e Romës dhe i zhvilluar nga Karabinierët, bazohet në një sërë provash, ndër to përgjime telefonike dhe ambientale, analiza teknike, pamje të kamerave të sigurisë, gjurmimin e automjeteve të përdorura dhe aktivitetet e kryera nga të dyshuarit para dhe pas atentatit. Sipas gjykatës, këto elemente krijojnë një kuadër të fortë provash që justifikon masat e sigurisë ndaj pesë personave të arrestuar.

Alibia e ndërtuar

Një nga elementët që ka tërhequr vëmendje në vendimin gjyqësor është një bisedë e përgjuar mes disa prej të dyshuarve, ku diskutohet se çfarë duhet të deklarojnë në rast se arrestohen.

Sipas këtij skenari, Antonio Passariello do të pretendonte se kishte shkuar në Ostia për çështje që lidhen me trafikun e drogës, ku kishte njohur “një shqiptar”. Ky person, sipas historisë së sajuar, do t’i kishte ofruar 3 mijë euro për të vendosur një mjet shpërthyes pranë banesës së një personi që ai nuk e njihte. Në vendimin gjyqësor thuhet se bëhet fjalë për një “version mbrojtës të përgatitur paraprakisht” dhe se ai përbën një përpjekje të qartë për të devijuar hetimet dhe për të ndërtuar një rrëfim alternativ të fakteve.

Nuk ka identifikim të një shtetasi shqiptar

Nga analiza e dosjes nuk rezulton se autoritetet italiane kanë identifikuar ndonjë shtetas shqiptar si autor, porositës apo bashkëpunëtor të atentatit.

Dokumenti nuk përmban emër, mbiemër, fotografi, përgjime apo prova që lidhen me një person konkret shqiptar. Referenca ndaj “një shqiptari” shfaqet vetëm brenda bisedave të të dyshuarve, si pjesë e strategjisë që ata po ndërtonin për t’u mbrojtur në rast arrestimi.

Madje, gjykata e përdor këtë episod si një element shtesë për të argumentuar ekzistencën e rrezikut të pengimit të hetimeve, duke evidentuar se të dyshuarit po përgatitnin versione të rreme dhe po koordinonin deklaratat e tyre për të shmangur përgjegjësinë penale.

Rreziku i pengimit të hetimeve dhe i arratisjes

Përveç rindërtimit të atentatit, vendimi gjyqësor analizon edhe nevojën për vendosjen e masave të sigurisë.

Sipas gjykatës, ekziston rrezik konkret që të dyshuarit të ndikojnë mbi provat dhe dëshmitarët, pasi gjatë përgjimeve ata shfaqin shqetësim për kontrollet e policisë, diskutojnë mbi deklaratat e personave të tjerë dhe përgatisin versione alternative të ngjarjes.

Gjykata vlerëson gjithashtu ekzistencën e rrezikut të arratisjes, duke përmendur aftësinë e grupit për t’u zhvendosur shpejt në rajone të ndryshme të Italisë, përdorimin e automjeteve që nuk lidhen drejtpërdrejt me ta dhe diskutimet për mundësinë e largimit jashtë vendit, me përmendjen e destinacioneve si Mali i Zi dhe Bosnja.

Megjithatë, edhe pse vendimi përshkruan me hollësi mënyrën e organizimit të atentatit dhe veprimet e autorëve të dyshuar, ai thekson se hetimet për identifikimin e porositësve të mundshëm vazhdojnë ende.

Në përfundim, nga përmbajtja e dokumentit nuk rezulton asnjë provë që të lidhë një shtetas shqiptar me atentatin ndaj Sigfrido Ranuccit. Përmendja e “një shqiptari” nuk është rezultat i hetimeve, por pjesë e një alibie që, sipas Gjykatës së Romës, është ndërtuar nga vetë të dyshuarit për të devijuar hetimin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco