Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur sot vendimin unanim në çështjen “Manjani kundër Shqipërisë“, duke konstatuar se shteti shqiptar ka shkelur Nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shiqiri Manjani, iu nënshtrua në vitin 2020 procesit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës për profilin prokuror, ku pasi kaloi provimin, u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Shkak për këtë vendim u bë një dënim për vjedhje i vitit 2006, i marrë kur ai ishte 15 vjeç, dënim për të cilin aplikuesi ishte reabilituar ligjërisht në vitin 2014.
Ankimet e Manjanit u rrëzuan radhazi nga Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Autoritetet vendase argumentuan se legjislacioni i posaçëm ndalon pranimin në sistemin e drejtësisë të personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht reabilitimit apo moshës kur është kryer vepra.
Gjykata Evropiane vlerësoi se ndërhyrja e autoriteteve shqiptare ishte jo proporcionale dhe e pambështetur në një analizë të mjaftueshme. Pikat kyçe të arsyetimit përfshijnë:
Mungesa e vlerësimit të individualizuar: Gjykata konstatoi se autoritetet kombëtare u mjaftuan me një interpretim mekanik të ligjit, pa kryer një analizë të hollësishme të rrethanave specifike të rastit.
Shpërfillja e moshës: Faktet tregojnë se z. Manjani ishte i mitur në kohën e veprës penale (15 vjeç), rrethanë që sipas Gjykatës duhej të trajtohej me prioritet në dritën e interesit më të lartë të fëmijës dhe parimeve të riintegrimit.
Natyra e ndalimit: Gjykata e cilësoi si “ndalim absolut dhe të përhershëm”, i cili ka pasur një ndikim serioz dhe të pakthyeshëm në zhvillimin profesional dhe identitetin social të aplikuesit në një fazë të hershme të karrierës së tij.
Integriteti i mëpasshëm: Nuk u mor parasysh sjellja e aplikuesit pas dënimit, përfshirë faktin që ai kishte ushtruar profesionin e avokatit dhe oficerit të policisë gjyqësore pa probleme ligjore.
Në përfundim, GJEDNJ vendosi:
Dëmshpërblim: Shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë aplikuesit shumën prej 4,500 euro si dëmshpërblim për dëmin jopasuror.
Rihapja e procesit: Gjykata vuri në dukje se legjislacioni shqiptar parashikon mundësinë e rihapjes së procesit gjyqësor në nivel kombëtar për rishqyrtimin e rastit në dritën e këtij aktgjykimi.
Ky vendim është marrë në mënyrë unanime nga një dhomë e përbërë prej shtatë gjyqtarësh.

Njoftimi nga Ermal Yzeiraj nga Studioja ligjore që ka ndjeur këtë çeshtje:
Sot ne si studio ligjore LAËYERS & MORE arritëm një tjetër sukses (të pritshëm) në European Court of Human Rights / Cour européenne des droits de l'homme në çështjen Manjani kundër Shqipërisë. Falenderimi në radhë të parë i takon vetë aplikantit Shiqiri Manjanin për besimin që na dha si studio për ta ndjekur çështjen e tij në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasbourg, si dhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë proces, veçanërisht ish-Av. Artemida Hoxhaj, sot kandidate në Shkollën e Magjistraturës.
Një falenderim i shkon edhe gjyqtarëve që në vendimet e tyre mbajtën një qëndrim të drejtë, korrekt dhe profesional, dhe që në fakt paralajmëruan kolegët e tyre për cënimin që po i bëhej të drejtave të aplikuesit nga vendimmarrjet e gjykatave shqiptare (Marsida Xhaferllari dhe Bari Shyti).
Për të gjithë ata që janë kurioz për këtë çështje dhe për atë çka vendosi Gjykata e Strasburgut, çështja në fjalë lidhet me refuzimin e pranimit të aplikantit në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2020, pavarësisht se ai kishte kaluar provimin e pranimit.
Arsyeja ishte një dënim i tij në vitin 2006, kur ai ishte vetëm 15 vjeç, një dënim që ishte pezulluar dhe ishte shuar juridikisht pas rehabilitimit në vitin 2014. GjEDNj konstatoi se autoritetet shqiptare nuk bënë atë që kërkonte ligji dhe drejtësia: një vlerësim individual dhe proporcional të rastit. Në vend të kësaj, u mbështetën në një logjikë formale që i dha më shumë peshë natyrës së veprës sesa faktit se ajo ishte kryer në mituri dhe se personi ishte rehabilituar prej vitesh.
Disa nga elementët që GjEDNj theksoi: · ligji u aplikua në mënyrë prapavepruese, duke u mbështetur në ndryshime të vitit 2021 që nuk ishin në fuqi në kohën kur aplikanti aplikoi; · u injorua fakti që dënimi ishte shuar juridikisht pas rehabilitimit; · nuk u mor parasysh mosha e mitur në momentin e veprës; · nuk u analizua vepra e kryer, koha e gjatë e kaluar dhe sjellja e mëvonshme e aplikantit.
Mesazhi i këtij vendimi është i qartë: rehabilitimi është një parim që duhet respektuar në praktikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprime të kryera në mituri dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet duke e ndjekur një person gjithë jetën për një gabim të bërë në moshën 15-vjeçare.
Një mesazh i qartë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë por sidomos edhe për Gjykatat Shqiptare që këtë herë dështuan me kokëfortësi në testin e Strasburgut. Jam i sigurt që çështja Manjani kundër Shqipërisë do shërbejë si gurë themeli për një praktikë të mëtejshme të GjEDNj dhe përtej kufijve të Shqipërisë, si dhe do të passjell nevojën për ndryshime legjislative dhe jurisprudenciale në Shqipëri. Faleminderit të gjithëve për urimet!
© SYRI.net