Itali/ Punonte për instalimin e kamerave, elektricisti shqiptar humbI jetën - zbardhen përgjegjësitë në gjyq

Itali/ Punonte për instalimin e kamerave, elektricisti shqiptar humbI jetën - zbardhen përgjegjësitë në gjyq

10:58, 13/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arben Caushi, 61 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Ferrara, ndërroi jetë më 15 shtator 2022, dy muaj pasi ishte rrëzuar nga një shkallë gjatë punës në një bankë në Correggio. Ai po kryente instalimin dhe përditësimin e sistemit të kamerave të sigurisë me qark të mbyllur në një filial të bankës.

Aksidenti ndodhi më 14 korrik 2022, ndërsa Caushi ishte duke punuar mbi panelet e tavanit të varur për vendosjen e një kamere të re. Ai ndodhej mbi një shkallë të dyfishtë me lartësi maksimale 1.84 metra, ndërsa zona e punës ishte rreth 3.46 metra mbi tokë. Gjatë punës ai u rrëzua dhe goditi kokën, duke pësuar dëmtime të rënda.

Sipas hetimeve, në vendngjarje ndërhynë karabinierët dhe teknikët e Mjekësisë së Punës të shërbimit shëndetësor lokal. Një teknik i këtij institucioni deklaroi në gjyq se shkaku kryesor i rënies ishte mos përdorimi i një skelë pune (ponteggio), e cila do të ishte më e përshtatshme dhe më e sigurt se shkalla. Ai theksoi se gjendja e këmbëzave të shkallës, edhe pse të konsumuara, nuk konsiderohet faktori kryesor i aksidentit.

Mjeku ligjor konfirmoi se vdekja e Caushit, e ndodhur dy muaj më vonë për shkak të komplikimeve shëndetësore, lidhej drejtpërdrejt me plagët e marra nga rënia.

Për këtë rast ka nisur procesi gjyqësor para gjyqtarit Giovanni Ghini. Në bankën e të akuzuarve ndodhet një 74-vjeçar nga Firence, administrator i vetëm i kompanisë që kishte marrë nënkontratën për mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë të bankës. Ai akuzohet për vrasje nga pakujdesia me shkelje të rregullave për parandalimin e aksidenteve në punë.

Sipas akuzës, ai ia kishte besuar punën firmës individuale Cablanet të Arben Caushit për përditësimin e sistemit të videokamerave, pa verifikuar plotësisht kushtet e sigurisë dhe pa siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për kryerjen e punës.

Caushi ka lënë pas bashkëshorten Stefania dhe dy fëmijët, Marco dhe Roberta. Familjarët janë dëmshpërblyer nga siguracioni i kompanisë së të akuzuarit dhe nuk janë paraqitur si palë civile në proces. Gjykimi pritet të vazhdojë në muajin korrik me dëshmitarët e mbrojtjes dhe diskutimet përfundimtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco