Zhdukja e Jan Prengës, Altin Hajri kundërshton akuzat, SPAK kërkon burg përjetë

20:01, 06/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokatët e Altin Hajrit, i cili po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për dënimin e tij me burg përjetë. Gjatë seancës së radhës, avokati Aranit Roshi pretendoi se Hajri nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, ndërsa shtoi se persona me kapuç kanë shkuar në ambientet e biznesit të klientit dhe i kanë thënë se personi në fjalë është sëmurë. Avokati ka pretenduar se Hajri i ka dhënë ujë dhe më pas kur ka parë armë dhe shenja gjaku ka kuptuar se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë

Nga Syri TV

Pasi SPAK ka dhënë pretencën duke kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbim ose mbajtja peng e personit kur është shkaktuar vdekja si dhe grup i strukturuar kriminal në dëm të Jan Prengës, avokatët e tij, kanë kundërshtuar këtë të enjte këtë kërkesë të prokurorisë. Avokati i tij, Aranit Roshi pretendoi se Hajri nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Para trupës gjykuese, ai deklaroi se persona me kapuç kanë ardhur në ambientet e biznesit të Hajrit dhe i kanë thënë se personi në fjalë është sëmurë.

“Altin Hajri ka qenë në ambientin e lokalit. Ka parë personat që kanë ardhur, me kapuç. Është interesuar, ka pyetur çfarë ndodhi, i thanë është sëmurë. I ka dhënë ujë. Ka parë shenja gjaku dhe armë, ka kuptuar se bëhet fjalë për diçka të rëndë dhe ka larguar familjarët nga biznesi. As nuk e ka njohur Jan Prengën. Një ngjarje kriminale mund të ndodhë sot në një hotel në mes të Tiranës fjala vjen tek “Rogner”, të fusë makinën dikush aty në parking, të lërë drogë apo çfarëdo, s’mund të fajësohet pronari i lokalit për këtë. Nëse do ishte pjesë e marrëveshjes së paku do i adresonte diku tjetër e jo në biznesin e tij”

Avokati i Hajrit ka pretenduar se klienti i tij nuk ka patur asnjë komunikim me personat e përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës, përveç një bisede me Gentian Funiqin, që sipas avokatit kishte qëllim që t’i kërkohej Buxhdilit të tërhiqte akuzat.

“S’ka asnjë përfshirje të Altin Hajrit në këtë ngjarje. Nuk ka asnjë komunikim të vetëm mes Altin Hajrit dhe personave të përfshirë. Nga SkyECC, komunikimi i vetëm i Hajrit me personat e përfshirë, ndodh pas 6 muajsh. Regjistrimet në Encro s’janë të plota, ose ka ndërhyrje. Dalin vetëm mesazhet që ka nisur Hajri, se ç’ka thënë bashkëbiseduesi janë fshirë. Ai e kontakton të shmangë apo ushtrojë presion tek kopshtari Festim Bixhdili të tërheq atë që ka thënë. Por çfarë thotë Altin Hajri, që ç’ka pasur për të thënë e ka thënë, përfshirë ngarkesën që ka patur!

Seanca e radhës është lënë me 24 mars, kur pritet që GJKKO të shprehet me vendim për Altin Hajrin, i cili rezulton një person në kërkim prej 5 vitesh, që pas zhdukjes së Jan Prengës. Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco