120 vetura luksoze dhe 1.5 milionë franga mashtrim/ Si u zbulua jeta përrallore e 'shehut' nga Kosova që nuk i shpëtoi dot drejtësisë zviceriane

120 vetura luksoze dhe 1.5 milionë franga mashtrim/ Si u zbulua jeta përrallore e 'shehut' nga Kosova që nuk i shpëtoi dot drejtësisë zviceriane

11:02, 03/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një skemë e gjerë mashtrimi financiar ka përfunduar me dënim në Gjykatën e Dietikonit, pranë Cyrihut, ku një 57-vjeçar nga Kosova, i njohur si “sheh”, u dënua me 3 vjet e gjysmë burg dhe me ndalim hyrjeje në Zvicër për tre vjet.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Tages Anzeiger, i dënuari pretendonte se udhëhiqte rreth 8 mijë besimtarë dervishë. Prokuroria zvicerane bëri të ditur se ai kishte ndërtuar një rrjet kompanish fiktive, duke u paraqitur si sipërmarrës në fushën e pasurive të paluajtshme dhe duke paraqitur bilance të rreme për të përfituar kredi bankare dhe fonde shtetërore. Dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 1.5 milionë franga.

Një pjesë e konsiderueshme e shumës – mbi gjysmë milioni franga – ishte përfituar nga kreditë emergjente të periudhës së pandemisë Covid-19. Hetimet nisën pas bastisjes së një vile luksoze pranë Cyrihut, për të cilën paguhej një qira mujore prej 24 mijë frangash. Gjatë operacionit u sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, ndërsa autoritetet zbuluan një sistem kompleks firmash fiktive që shërbenin për pasurim të paligjshëm.

Ndërkohë që para institucioneve deklaronte varfëri, familja e tij dispononte rreth 120 automjete luksoze, përfshirë Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Sipas hetimeve, rreth 100 mijë franga ishin shpenzuar vetëm për targa speciale me numra të veçantë, të cilat në Zvicër dalin në ankand.

Gjykata dënoi të pandehurin kryesor me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm për tre vjet. Ish-bashkëshortja dhe katër fëmijët u liruan nga shumica e akuzave ose u dënuan me gjoba minimale, pasi gjykata vlerësoi se familja funksiononte nën një strukturë të fortë patriarkale, ku vendimet financiare merreshin nga kryefamiljari.

Gjatë procesit, i dënuari kërkoi falje dhe deklaroi se kishte përdorur familjarët si mbulesë për aktivitetet e tij, me qëllim ruajtjen e imazhit si prijës fetar. Gjykata theksoi se dënimet e mëparshme nuk kishin sjellë ndryshim në sjelljen e tij, ndërsa një nga bashkëpunëtorët u dënua me kusht dhe për tjetrin pritet vendimi përfundimtar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco