Detaje nga tragjedia në Pogradec, flasin banorët: Në shtyllën elektrike ndodheshin dy linja tensioni...

11:46, 26/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reagime pas ngjarjes tragjike në Pogradec, banorët: Elektriçisti kishte konstatuar defektin një ditë më parë

Pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën elektriçisti Agim Beqiri në fshatin Zërvaske të Pogradecit, kanë dalë në dritë detaje të reja nga banorë të zonës dhe persona që e njihnin prej vitesh.

Sipas informacioneve të dhëna nga banorë jashtë kamerave, Beqiri kishte konstatuar defektin në linjën e ndriçimit një ditë më parë dhe ishte rikthyer sot për të kryer ndërhyrjen dhe zëvendësimin e një llambë ndriçimi.

Sipas të njëjtave burime, në shtyllën elektrike ku ndodhi ngjarja ndodheshin dy linja tensioni, dhe dyshohet se elektriçisti kishte stakuar vetëm njërën prej tyre, ndërsa tjetra ka mbetur aktive, me të cilën ai ka rënë në kontakt fatal.

Banorët shprehen se pas kontaktit me rrymën elektrike, 60-vjeçari ka qëndruar për disa minuta pa shenja jete në shtyllë, deri në ndërhyrjen e shërbimeve përkatëse, të cilat kanë bërë të mundur zbritjen e trupit të pajetë. Sipas tyre, ai ka qenë i pajisur edhe me mjetet e sigurisë në momentin e punës.

Agim Beqiri prej vitesh punonte si elektriçist pranë Bashkisë së Pogradecit, ku merrej me mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit rrugor në fshatra të ndryshme të zonës.

Në një reagim të një qytetareje që e ka njohur prej kohësh, ai përshkruhet si një punonjës i përkushtuar dhe i respektuar.

“Ka qenë një njeri shumë i mirë, i rregullt dhe i sinqertë. Punonte me përkushtim dhe edhe në ditë pushimi, kur kishte probleme në fshat, vinte dhe i zgjidhte. Mbrëmë konstatoi defektin dhe sot erdhi për ta rregulluar. Ngushëllime familjes, ishte njeri i mrekullueshëm”, shprehet ajo.

Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco