Atentati në Lezhë, ndalohet polici që iu përgjigj me armë autorëve! Zbulohet shënjestra

Atentati në Lezhë, ndalohet polici që iu përgjigj me armë autorëve! Zbulohet shënjestra

19:21, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Është ndaluar polici i cili mbrëmjen e 1 shkurtit  iu kundërpërgjigj me armë autorëve të atentatit të ndodhur në berberhanen në fshatin Rrilë të Lezhës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:00 të së dielës kur 3 autorët të cilët lëviznin me një mjet tip Audi qëlluan me breshëri drejt biznesit, duke lënë të plagosur me tre plumba pronarin e saj Sokol Daci, 30 vjeç.

Polici i identifikuar si Besart Kovaçi akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas informacioneve paraprake polici ka qenë brenda në berberhane ku ndodhej edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj,  - nipi i Ardian Nikulajt, i vrarë në prill 2023 - i dyshuar si shenjestra e atentatit, i cili është plagosur dhe është larguar nga vendngjarja.

Në momentin e atentatit në dyqan janë ndodhur 4 persona të tjerë.

Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrile, të cilët po marrin gjurmët e gjakut në vendngjarje, për të bërë ADN-në me qëllim zbulimin e identitetit të personit të dytë të plagosur.

Burimet bëjnë të ditur se personi i dytë i plagosur është pjesëtar i fisit të Nikulave.

Ndërkohë sot në mbrëmje policia po ushtron kontrolle të shumta në Lezhë. 

Dëshmia e policit

Efektivi i policisë, gjatë dëshmisë së tij në polici, ka thënë se ndodhej rastësisht në berberhane dhe se ka qëlluar me armë jashtë orarit të shërbimit me qëllim neutralizimin e atentatorëve.

Policia ka identifikuar njërin nga autorët dhe e ka shpallur në kërkim, ndërsa ka shoqëruar në komisariat disa persona. Gjithashtu po analizohen kamerat e banesave dhe bizneseve në zonë, për të parë lëvizjet e automjetit të autorëve para dhe pas ngjarjes, teksa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 40 gëzhoja automatiku dhe një pistoletë.

Fisi Nikulaj, prej vitit 1996, ndodhet në hasmëri dhe është përfshirë në një seri vrasjesh me fisin Palaj, Lektasaj, dhe nuk dihet nëse ky atentat ka lidhje me vijimin e sagës së hakmarrjes.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco