Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen Morina nga Ratkoci i Rahovecit. Njëra nga binjaket e tyre, Teo Mendim Morina, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra në aksidentin automobilistik të ndodhur më 7 janar në Gjermani.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga vetë familja Morina, ndërsa bëhet e ditur se foshnja kishte pësuar lëndime shumë të rënda dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, shkruan gazetari shqiptar, Bahri Cani.
Aksidenti ndodhi në qytetin Waldshut-Tiengen të Gjermanisë, vetëm pak minuta para se familja 5-anëtarëshe të mbërrinte në banesën e saj, pas kthimit nga pushimet në vendlindje. Në automjet udhëtonin prindërit dhe tre fëmijët e mitur: një fëmijë 3-vjeçar dhe binjakët rreth gjashtë muajsh.
Si pasojë e aksidentit, të pesë anëtarët e familjes u plagosën dhe u transportuan në spital. Sipas informacioneve të fundit nga autoritetet shëndetësore, prindërit dhe dy fëmijët e tjerë ndodhen në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, megjithëse prindërit po përballen me gjendje të rënduar psikologjike për shkak të humbjes tragjike.
Familjarë, miq dhe bashkëatdhetarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Morina, duke ndarë dhimbjen për humbjen e parakohshme të vogëlushes Teo.
© SYRI.net