Qindra qytetarë të Durrësit dolën sot në rrugë, duke marshuar drejt Bashkisë, për të denoncuar mospasrimin e kanaleve kulluese dhe përmbytjet e përsëritura që kanë prekur banesat e tyre. Protestuesit mbajnë pankarta ku shkruhet qartë: “Korrupsioni na mbyti, jo shiu!”, ndërsa marshimi shoqërohet me thirrje të fuqishme: “Na u bashkoni!” apo 'Durrësi skenë krimi'...
Një nga organizatorët e protestës shprehet për SYRI TV:
“Disa njerëz të tjerë, bashkë edhe unë, vendosëm që të organizonim një protestë sepse këta nuk po e marrin asnjë gjë serioze. Durrësi ishte qyteti që kishte më pak reshje, vetëm 43mm, në krahasim me qytetet e tjera, dhe kjo tregon se ka një problem tjetër, jo vetëm shiu. Kjo është përmbytja e tretë brenda një viti, dhe vjen pas ndërrimit të hidrovorit dhe pas disa tenderëve për sistemimin e kanaleve kulluese.
Gjithashtu, zonja kryetare e Bashkisë, Emiriana Sako, në vitin 2022 ka bërë një deklaratë në rrjetet sociale se po bëhej një investim për të mbyllur 2.6 km kanalesh të ujërave të larta që vinin nga kodrat drejt Spitalit, për të lehtësuar zbritjen e ujit poshtë. Por sot shihet qartë që këto masa nuk kanë funksionuar, dhe institucionet duhet të sqarojnë çfarë ka ndodhur.
Të shpallen dëmet, të dëmshpërblehen qytetarët dhe të bëhet një studim serioz që t’i japë fund këtij problemi njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por e shkaktuar nga neglizhenca, dhe të gjithë inxhinierët që kemi konsultuar e konfirmojnë këtë.”
Banorët kanë bërë edhe peticione të protokolluara te tetë institucione, duke paralajmëruar situatën para se të ndodhte përmbytja e fundit, por sipas tyre, masat nuk janë marrë në kohë. Institucionet e përfshira përfshijnë Këshillin Bashkiak, Bashkinë e Durrësit, Prefekturën, Kryeministrinë, Këshillin e Ministrave, Avokatin e Popullit dhe Këshillin e Mediave. raporton gazetari Klajdi Bodlli për Syri TV
Një qytetar për SYRI TV rrëfen gjendjen dramatike:
“Deri në gjunjë, deri në gjunjë që shtëpia ka ndenjur katër ditë. Ja, ja fotot. Me frymëmarrjen nuk marr, do iki në spital. Është katër ditë jam përmbytur e akoma e kam mykun brenda. Hajde e shifeni. Çfarë shteti, çfarë qeverie është kjo? Duhet të vijë të na shohë se akoma jemi në ujë. Jemi deri këtu jemi akoma. Unë jam Hysni Tafaj. Tashti unë dua të shohim, të bëhet që uji të iki te shtëpia. Herën e parë. Sivjet. Çfarë shtet ky është? Shtet komunist.”
Protesta e qytetarëve është një thirrje e qartë për përgjegjësi dhe veprim urgjent nga institucionet, ndërsa përmbytjet e përsëritura vazhdojnë të kërcënojnë banesat dhe jetesën e familjeve në Durrës.
© SYRI.net