Situatë alarmante në zonën e Sukthit, ku dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar përmbytje masive, duke lënë dhjetëra banesa dhe familje nën pushtetin e ujit.
Sipas gazetares së SYRI-t në terren, Albana Alia, situata raportohet si kaotike dhe jashtë kontrollit, veçanërisht në fshatin Erzen dhe në lagjet numër 1 dhe 2 të Sukthit.
Uji ka vërshuar me shpejtësi duke depërtuar në brendësi të shtëpive dhe oborreve, ndërsa disa familje janë evakuuar. Megjithatë, shumë të tjerë raportohet se kanë mbetur të bllokuar në banesat e tyre, në pritje të ndihmës. Përveç banesave të përmbytura, edhe akset rrugore në zonë janë bllokuar, duke e vështirësuar edhe më tej situatën. Forca të bashkisë ndodhen në terren, por situata mbetet problematike.
Dëshmitë e banorëve janë dramatike. Ata shprehen se ndihen të braktisur, pasi ende nuk ka ardhur askush për t’iu ofruar ndihmë. Një banor i moshuar, i cili jeton prej brezash në këtë zonë, tregon se gruaja e tij ka mbetur e bllokuar brenda në shtëpi. “Unë kam dalë, por gruan e kam lënë atje brenda se s’ka ku shkon,” shprehet ai.
Mes dëshpërimit, banori ngre dyshime se përmbytja mund të mos jetë një fatkeqësi natyrore. Sipas tij, shiu ka rënë tre ditë më parë dhe është e pakuptueshme se si vërshimi ndodhi tani. “Mua më duket sikur nuk është fatkeqësi e natyrës. Këtu mund të kenë lëshuar ndonjë rezervuar, sepse nuk ka mundësi,” thotë ai, duke shtuar se uji i ka shkatërruar të gjitha të mbjellat dhe i ka marrë mundin e një viti. Banorët e prekur po largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa presin një ndërhyrje më efikase nga institucionet.
© SYRI.net