Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka miratuar kërkesën e Lulzim Berishës për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit, i cili ka ndërruar jetë së fundmi.
Sipas burimeve zyrtare, leja është dhënë nga ora 12:30 deri në orën 16:00 të ditës së sotme. Gjatë kësaj kohe, i dënuari do të shoqërohet nën masa të rrepta sigurie nga forcat e policisë së burgjeve dhe të rendit publik.
Lulzim Berisha, i dënuar për vepra të rënda kriminale, po vuan dënimin në Burgun e Durrësit. Kërkesa e tij për të marrë pjesë në varrimin e të atit është pranuar me kushte të posaçme, duke garantuar sigurinë dhe respektimin e rregullave të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Burimet bëjnë me dije se ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Durrës, ndërsa pjesëmarrja e Berishës do të jetë e kufizuar vetëm për periudhën e përcaktuar në leje.
© SYRI.net