Policia katalanase Mossos d’Esquadra ka arrestuar tre burra të moshës 20, 24 dhe 35 vjeç, të cilët po udhëtonin në rrugën N-340 me 525 bimë marijuane të ndara në dy furgonë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës, rreth orës katër e gjysmë të mëngjesit, gjatë një kontrolli rutinë të ngritur nga policia për parandalimin e krimeve të ndryshme në kilometrin 1165, brenda territorit të bashkisë Tarragona, në drejtim të Altafulla-s.
Policët ndaluan një furgon për kontrollet e zakonshme, por sapo iu afruan, kuptuan menjëherë se nuk do të ishte një veprim rutinë. Furgoni lëshonte një erë të fortë marijuane dhe përmes xhamave dukej një sasi e madhe bimësh të ngjeshura me forcë, aq sa pengonin edhe pozicionin dhe fushëpamjen e shoferit.
Pasi identifikuan drejtuesin e automjetit, policët zbuluan se ai nuk kishte marrë kurrë leje drejtimi. Ndërkohë që po kryenin verifikimet, në vendin e kontrollit mbërriti një tjetër furgon me karakteristika të ngjashme, ku ndodheshin dy persona. Edhe ky furgon lëshonte erë të fortë marijuane dhe brenda tij dukej qartë se po transportoheshin shumë bimë.
Transportonin më shumë se 500 bimë në dy furgona
Hetimet e Mossos d’Esquadra zbuluan se tre personat, me kombësi shqiptare, ishin pjesë e së njëjtës grup dhe po udhëtonin me dy furgona që mbanin një distancë të caktuar mes tyre. Ata po transportonin drogën nga një plantacion në zonën e Baix Camp (Tarragona), afër Mont-roig del Camp, drejt një destinacioni tjetër, por u ndeshën me kontrollin policor gjatë rrugës.
Të tre burrat, njëri prej tyre me rreth gjashtë precedentë penalë, përfunduan të arrestuar për veprën penale të trafikut të drogës, ndërsa drejtuesit të parë iu shtua edhe akuza për drejtim automjeti pa leje drejtimi.
Furgonat u sekuestruan dhe u dërguan në komisariat, ndërsa droga, rreth 525 bimë marijuane me vlerë rreth 100.000 euro në tregun e paligjshëm, u konfiskua nga policia.
© SYRI.net