Ngjarja e rëndë në Manzë, ku mbetën të vdekur dy persona Flori Paluçi dhe Aranit Kurti, ka çuar policinë e Durrësit të kryejë arrestimin e 4 personave të tjerë për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Syri.net njoftoi mbrëmë vonë i pari arrestimet e 4 personave ndërsa sot zbuloi se çfarë kishin filmuar kamerat e sigurisë
Në njoftimin e policisë thuhet se në kërkim për vrasjen është dhe një shok i Daniel Pepës i cili duket se e ka ndihmuar autorin e dyshuar për njërën prej vrasjeve të largohet nga vendi i ngjarjes.
Ai është G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Njoftimi I policisë
Durrës/Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas.
Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin Daniel Pepa (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit Flori Paluçi , 33 vjeç dhe Aranit Kurti, 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
Erald Cami, 25 vjeç dhe Ergi Kadiu, 21 vjeç, si dhe shtetasit Taulant Beca, 37 vjeç dhe Emirjan Beca, 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-Daniel Pepa, 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cami)
Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti
Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Flori Paluçi, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Daniel Pepa dhe Aranit Kurti (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin Flori Paluçi). Si pasojë u vranë shtetasit Flori Paluçi dhe Aranit Kurti
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin Daniel Pepa.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Flori Paluçi, shtetasin Daniel Pepa si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net