Gjendja shëndetësore e grevistëve të Marinzës rëndohet, në ditën e tyre të 8-të, por vullneti për të kërkuar të drejtat mbetet i palëkundur.
Në një intervistë për Syri TV, një nga grevistët, Dritan Rapuçi, zbulon prapaskenat e menaxhimit të kompanisë, duke e cilësuar atë një "nonsens" që favorizon punonjësit e huaj në dëm të atyre shqiptarë.
Sipas Rapuçit, problemi kryesor qëndron te ndarja e padrejtë e pagave.
Ai pretendon se ekzistojnë diferenca shumë të larta, ku fitimet e kompanisë shkojnë për "disa rroga të majme që janë të kinezëve", ndërsa për punonjësit shqiptarë jepet "shumë pak".
Kjo politikë pagash ka shtuar problemet dhe pakënaqësinë mes punonjësve, të cilët kërkojnë meritokraci dhe një skemë shpërblimi të drejtë për punën që bëjnë. Rapuçi thekson se edhe trajtimi ushqimor i ofruar nga kompania është thjesht një "fraksion i asaj që duhet të japin", duke pasur parasysh volumin e punës që është dhjetëra herë më i lartë se në Albpetrol.
Ndonëse kanë hyrë në ditën e tetë të grevës së urisë dhe gjendja shëndetësore agravohet dita-ditës, Rapuçi konfirmon se vendosmëria e tyre është e madhe.
"Kanë kaluar në strapacim, njerëzit janë të tejlodhur... por kanë një vullnet shumë të lartë për ta vazhduar këtë betejë sepse është një e drejtë që kërkohet me ngulm," shprehet ai. Për grevistët, kjo është një luftë për të arritur diçka të drejtë.
Ndërkohë që një grup punonjësish janë në grevë urie, puna në puset e naftës vazhdon, por në kushte ekstreme. Rapuçi informon se edhe punonjësit në terren kanë kaluar në "strapacim", duke punuar turne 12-orëshe dhe duke bërë punën e kolegëve që mungojnë.
"Kjo i kalon tej mase të gjitha ligjet se sa mund të punojë një njeri," pohon ai, duke e përshkruar situatën si të jashtëzakonshme, veçanërisht në një industri me rrezikshmëri të lartë si ajo e naftës.
Përgjigja e kompanisë Bankers ndaj kërkesave të punonjësve cilësohet si cinike. Pretendohet se e vetmja lëvizje ka qenë shtimi i disa gramëve oriz dhe makarona në supën e punëtorëve, një veprim që shihet si tallje.
Për Rapuçin, kjo sjellje tregon se kompania "i do punëtorët të shtypur edhe të shfrytëzuar" dhe nuk dëshiron t'u njohë të drejtat. Ndërsa nuk i drejtohet direkt qeverisë, theksi vihet tek nevoja urgjente për mbrojtjen e të drejtave themelore të punëtorëve.
"Punëtorët duhet të kenë të drejta, punëtorët duhet të kenë dinjitet. Punëtorët nuk duhet të shihen si një mjet për t'u shfrytëzuar, por duhet të shihen si qëllimi final i çdo lloj kompanie, Ky është një nonsens në menaxhimin e gjithë burimeve njerëzore, të trajtimit të punonjësve dhe kjo përbën një problem. Edhe ndarja e pagave në në kategori pa me diferenca shumë të larta, kjo është ajo që shton më shumë edhe problemet mes punonjësve. Prandaj kërkohet meritokracia, kërkohet që të aplikohet një skemë e caktuar pagash ku të gjithë njerëzit ta gjejnë veten edhe që të shpërblehen për punën që bëjnë dhe jo të jenë më preferenciale. Fitimi i kompanisë po shkon i gjithi vetëm në disa rroga të majme që janë të kinezëve dhe ndërmjet shqiptarëve jepet shumë pak. Ata dhe në këtë gjendje trajtojnë vetëm çështjen e dietës ushqimore"- deklaroi grevisti.
Kërkesat e naftëtarëve drejtuar kompanisë Bankers
1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.
2 - Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.
3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.
4- Drejtësi e barazi në shpërblime.
5- Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime
© SYRI.net