SYRI TV/ S’merr shërbim shëndetësor, qytetari: Kam 3 vite që sorollatem, mjekët thonë nuk ke asgjë...

21:27, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një qytetar nga Tirana ka denoncuar në SYRI TV mungesën e shërbimit shëndetësor. Albi Sula shprehet se edhe pse ka tre vite i sëmurë mjekët nuk i përcaktojnë asnjë diagnozë, por e dërgojnë nga një repart në tjetrin. Sula ka kryer edhe një operacion për gjëndrat limfatike, ndërkohë që në lidhje me rastin, Qendra Spitalore “Nënë Tereza” nuk jep asnjë informacion, duke i cilësuar të dhënat e pacientit si konfidenciale.

Syri TV

Akuzat, denoncimet apo dhe pakënaqësitë në drejtim të sistemit shëndetësor në vendin tonë janë të shumta. Qytetarë të shumtë denoncojnë mungesën e medikamenteve apo trajtimin jo të duhur që marin në institucionet shëndetësore në të gjithë vendin. I tillë është edhe rasti i Albi Sulës, një 35-vjeçar nga Tirana i cili denoncon problematikat e sistemit shëndetësor në vend dhe neglizhencën e bluzave të bardha në drejtim të tij. Ai shprehet se prej më shumë se 3 vitesh sorollatet sa në një institucion në tjetrin, por askush nuk i përcakton një diagnozë të saktë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. Ai tregon se vuan nga gjendrat limfatike dhe se ka kryer një operacion duke hequr 24 mm, ndërkohë që rezulton se rruazat e bardha të gjakut i ka të larta.

35-vjeçari pohon se ka shkuar edhe në Turqi për kontroll, ku mjekët i kanë sugjeruar ti drejtohet onkologut dhe hematologut, por në pamundësi që ta bëjë diçka në Turqi, për shkak të gjendjes ekonomike, ai u rikthye në Shqipëri dhe iu drejtua këtyre reparteve në Tiranë, por sërish nuk gjeti zgjidhje 

Nëna e tij, Fahrije Sula i bën apel institucioneve shtetërore që të kujdesen për trajtimin shëndetësor të të birit.

Për momentin, 35-vjeçari trajtohet edhe me psikiatër, pasi siç pohon ai dhe nëna e tij, për shkak të sëmundjes, ka kaluar në depresion.

Referuar “Kartës Shqiptare të të Drejtave të Pacientëve”, miratuar me S.M. datë 31.01.2011 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ku përcaktohet se: “Çdo pacient ka të drejtën e konfidencialitetit të të dhënave personale, përfshirë informacionet lidhur me gjendjen e tij/saj shëndetësore”, ju bëjmë me dije se të gjitha të dhënat dhe informacioni lidhur me gjendjen shëndetësore të një pacienti konsiderohen si private, dhe si të tilla, mbrohen në mënyrë bindëse (adekuate).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco