Familjarët kërkojnë ndihmë për kurimin e kamarieres së plagosur në atentatin e Shkodrës: S’i përballojmë dot faturat

Familjarët kërkojnë ndihmë për kurimin e kamarieres së plagosur në atentatin e Shkodrës: S’i përballojmë dot faturat

19:21, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familjarët e Meri Kacerrit, 25-vjeçares që mbeti e plagosur në masakrën e Shkodrës, kanë bërë thirrje publike për ndihmë financiare, pasi shpenzimet për trajtimin e saj janë të papërballueshme.

Ata kanë hapur një fushatë donacionesh në platformën GoFundMe, duke theksuar se vajza ndodhet në një gjendje të vështirë shëndetësore dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe trajtime të kushtueshme.

‘Situata është shumë delikate dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, operacione dhe trajtime që shoqërohen me shpenzime të konsiderueshme. Me dorën në zemër, i drejtohemi miqve, të njohurve dhe çdo zemre të mirë që mund të japë një dorë. Çdo kontribut, sado i vogël, është një hap drejt shpresës, shërimit dhe rikthimit të Merit në jetën e saj të zakonshme. Mirënjohja jonë është e pafund për çdo mbështetje, qoftë ajo financiare, shpirtërore apo edhe duke ndarë këtë fushatë me të tjerët’, thuhet në thirrjen e familjarëve.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në një lokal në qendër të Shkodrës, ku u qëllua me breshëri armësh drejt tavolinës ku ndodhej Erogen Vaso (i njohur edhe si Brajoviç). Nga atentati mbetën të vrarë dy miqtë e tij, Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.

Ndërsa vetë ai dhe kamarierja 25-vjeçare u plagosën.

Meri Kacerri, e cila punonte si kameriere në lokal, ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mjekët konfirmojnë se ajo është jashtë rrezikut për jetën, por i duhet një ndërhyrje në krah, ku ka marrë plagë me fraktura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco